1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna në shkolla në Maqedoni

27 Prill 2011

Rrahjet, përdorimi i alkoholit dhe drogave rezultojnë me shfaqjen e dhunës në formë më ekstreme në shkollat e mesme të Maqedonisë. Dhuna ka filluar të marrë edhe jetën e nxënësve.

https://p.dw.com/p/114a5
Roma Kinder beim Unterricht, Skopje
Roma Kinder beim UnterrichtFotografi: Petr Stojanovski

Dhuna në shkollat e mesme të Maqedonisë nuk ka të ndalur, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 14 incidente, prej të cilëve rasti i fundit ishte fatal për një të ri, meqë ai u vra në oborr të shkollës. Përdorimi i alkoholit, drogave, mbajtja e armëve në ambientet e shkollës janë arsyet më të shpeshta, që jepen për prezencën e dhunës në mesin e nxënësve të shkollave të mesme. Maqedonisë i nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse për zbatimin e programeve parandaluese me qëllim të rritjes së sigurisë në shkollat e mesme dhe parandalimin e dhunës në to. Shoqata për hulumtime të sigurisë dhe edukimit ka prezantuar rezultate brengosëse nga një anketë me nxënës të shkollave të mesme. 65% e nxënësve janë deklaruar se kanë frikë për sigurinë e tyre në ambientet shkollore.

Nxënës në pushim në një shkollë në Shkup
Nxënës në pushim në një shkollë në ShkupFotografi: Petar Stojanovski

“Nxënësve, që përfshihen në incidente, u mungon edukata familijare, ata sillen njëlloj si në shtëpi, shoqëri, apo shkollë”,

“Sa u përket incidenteve, besoj se të gjitha këto janë si pasojë e mosedukatës, normal ndikon shumë edhe rrethi, ku ne bredhim derisa jemi në shkollë”, thonë nxënësit.

Ministri i Arsimit Nikolla Todorov mbetet në qëndrimin e ashpër për ndëshkim maksimal të autorëve të incidentëve në ambientet shkollore. “Ekziston një masë më radikale, ajo është izolimi. Do të propozoj që të bëhet njëfarë izolimi i të gjithë atyre nxënësve, që manifestojnë në vazhdimësi sjellje të dhunshme. Ata duhet të dërgohen në institucione të posaçme me qëllim të edukimit të tyre”, shprehet ministri Todorov.

Ekspertët: Duhet zgjidhje e thjeshtë, që gjendja të mos dalë jashtë kontrollit

Studentë në Shkup
Studentë në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Pedagogët vlerësojnë se asnjë njeri i ri nuk lind si delikuent, ai formohet si i tillë para së gjithash nga familja dhe ambienti, me të cilin komunikon. “Dhuna në shkollë, por edhe në familje ndodh tek familjet e varfëra, që do të thotë se shoqëria është ajo, që kontribuon më së shumti në dhunën. Arsimtarët dhe pedagogët janë ata, që gjithmonë flasin për shmangjen e dhunës në shkollë, por edhe ata aq munden, sepse nëse nuk ndodh në shkollë, ndodh në oborr”, thotë Fatmira Çeliku, pedagoge. Sipas saj për parandalimin e dhunës në shkolla duhet të rregullohet mirëqenia shpirtërore, sociale e kulturore e nxënësve, që ata të ndjehen të barabartë dhe të mos ketë dallime të theksuara sociale midis tyre.

Për parandalimin e dhunës në shkolla, institucionet duhet të jenë më rigoroze. Të gjitha dukuritë negative prezente në shoqëri reflektohen edhe tek kjo grupmoshë, thotë Tatjana Stojanovska, sociologe. “Kontrolli i familjes ndaj fëmijëve është zvogëluar, shkollat më shumë theks i vënë arsimimit se sa edukimit. Nëse kësaj i shtojmë edhe dhunën gjithnjë më të pranishme në media, atëherë fëmijët e kësaj moshe janë të pambrojtur në shumë aspekte”, shprehet Stojanovska.

Puna e mësuesit nuk është gjithnjë e lehtë
Puna e mësuesit nuk është gjithnjë e lehtëFotografi: DW

Florina Emini, nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, është pjesëmarrëse në shumë tribuna, ku diskutohet për problemet e të rinjve. “Mendoj se kjo ndikon pozitivisht. Ne si bashkëmoshatarë t'i shohim, si dhe ku janë gjërat, por fatkeqësisht duhet thënë se zëri ynë nuk po dëgjohet sa duhet, nuk po e vlerësojnë, nuk po na dëgjojnë më të vjetrit”, thotë Florina Emini.

Në ministrinë e Arsimit në përgatitje e sipër është rregullorja, me të cilën parashihet ndëshkimi jo vetëm i nxënësve problematik, por edhe i prindërve të tyre.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica