1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna ndaj gruas është krim që duhet të dënohet si i tillë!

9 Dhjetor 2011

Të premten përfundon fushata e përvitshme ndërkombëtare e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas. Në Shqipëri fushata u zhvillua me moton ”Dhuna është krim. Familje pa dhunë, shoqëri në paqe”.

https://p.dw.com/p/13PJI
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: picture-alliance/Photoshot

18 gra të vrara nga bashkëshorti, i dashuri apo babai i tyre si pasojë e dhunës ekstreme të ushtruar ndaj tyre. Shifra tronditëse është dy herë e gjysëm më e lartë se vitin e kaluar. Ajo publikohet nga Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim, një organizatë kjo jo fitimprurëse me seli në Tiranë. Drejtorja e kësaj Qendre, Mirela Arqimandriti thotë se fushata e sivjetme u nis pikërisht nga ky fakt i rëndë.

“Numri i grave të vrara nga burrat sivjet është vërtet alarmant. Shoqëria civile është ngritur në këmbë veçanërisht gjatë 16 ditëve të fushatës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas. Kemi firmosur një peticion drejtuar Parlamentit dhe organeve zbatuese që dhuna në familje të quhet krim dhe të ndëshkohet si vepër penale” thotë Mirela Arqimandriti.

Symbolbild Gewalt gegen Frauen NO FLASH
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ligje në letër dhe pandëshkueshmëria – gjeneratorë të dhunës ndaj gruas

Shqipëria ka një ligj për dhunën ndaj gruas dhe atë në familje. Por për fat të keq ai mbetet në letër dhe kur zbatohet nuk ka të parashikuara masa të rrepta ndaj dhunuesve. Për Mirela Arqimandriti janë të qarta mangësitë e ligjit:

“Ligjit i mungojnë masa të rrepta ndëshkuese kundër atyre që ushtrojnë dhunë ekstreme deri në vrasje ndaj gruas, mungojnë pikërisht ato masa që nuk do ta lejonin një vrasës të kalojë dy-tre ditë në një komisariat policie dhe pastaj të dalë i lirë”. Në rastet e ushtrimit të dhunës ekstreme ndaj grave gjykatat marrin parasysh rrethana dhe kushte lehtësuese si gjendje e pakontrolluar emocionale, vrasje për motive të dobëta, ç'ekuilibër mendor, rrethana që çojnë në fund të fundit në pandëshkueshmërinë e autorit të krimit.

“Të shtohet në ligj që dhunuesi duhet patjetër të konsiderohet një kriminel që duhet të ndëshkohet si i tillë” thotë Mirela Arqimandriti.

Moszbatimit të ligjit i shtohet edhe mungesa e denoncimit të rasteve të dhunës kur ato janë në fillimet e tyre. Fushata e sivjetme me motton ”Dhuna është krim. Familje pa dhunë, shoqëri në paqe” ka synuar kultivimin e një qëndrimi aktiv. “Synojmë të ndërgjegjësojmë njerëzit për domosdoshmërinë dhe dobinë e denoncimit të dhunës, të grindjeve mes një burri dhe gruaje, mes një vajze dhe babait të saj, për të parandaluar kështu krimin ku shpesh këto grindje degjenerojnë ” thotë Mirela Arqimandriti.

Gratë në treg- shpesh ato nuk e denoncojnë dhunën nga frika
Gratë në treg- shpesh ato nuk e denoncojnë dhunën nga frikaFotografi: Aida Cama

Kombet e Bashkuara - mbështetje e fuqishme për ndryshimin e situatës në Shqipëri

Numri i shtuar i grave të vrara në Shqipëri, si pasojë e dhunës është alarmante edhe për Agjensitë e Kombeve të Bashkuara që operojnë në Shqipëri. “Ky është vërtet një trend shqetësues. Është shqetësues sepse Shqipëria ka kuadrin ligjor, qeveria po ndërrmer nisma në këtë drejtim, shoqëria civile është e mobilizuar, Kombet e Bashkuara po i mbështesin këto nisma por ende numri i grave të vrara po rritet. Ky fakt është vetëm maja e aisbergut. Në bazë të kësaj qëndrojnë shkaqe ekonomike, politike, sociale dhe kulturore që lidhen me mentalitetin. Shoqëria shqiptare ndodhet në tranzicion në të gjithë këta faktorë” thotë Semia Germas de Tapia, drejtore në Shqipëri e Programit Kombëtar, UN Women, Entiteti i Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore dhe fuqizim të gruas.”

Semia Germas de Tapia mendon se eliminimi i dhunes ndaj gruas ne te gjitha format e shfaqjes se saj kerkon edhe amendimin e ligjit ekzistues për ta konsideruar dhunën një krim që duhet ndëshkuar si një vepër penale. Kombet e Bashkuara po mbështesin me asistencë teknike procesin për të amenduar ligjin si edhe shoqërinë civile për të luajtur rolin e saj të rëndësishëm.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi