1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gewalt gegen Frauen

3 Dhjetor 2009

Megjithë arritjet e shoqërisë civile dhe të institucioneve shtetërore shifrat zyrtare tregojnë se 1/3 e grave dhe e vajzave në Shqipëri përjetojnë dhunë fizike, emocionale apo ekonomike.

https://p.dw.com/p/KpdJ
Grua e rrahur qe po i del gjak nga hundet
Fotografi: dpa

Shpresa Hysa është një grua rreth të 35-ve që para një muaji denoncoi në Drejtorinë e Policisë në Tiranë bashkëshortin e saj. Prej shumë kohësh ai ushtronte dhunë fizike ndaj Shpresës. Që pas denoncimit Shpresa merr mbështetje psikologjike dhe sociale në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza të Dhunuara, në Tiranë.

Symbolbild Gewalt gegen Frauen
Fotografi: picture-alliance / Lehtikuva


“Nuk tregoja se burri më rrihte edhe në sy të fëmijëve. Kisha frikë, nuk guxoja, me vinte edhe turp. Derisa një ditë nuk durova dot më. Kisha parë afishet e kësaj qendre në rrugë. Mora ne telefon dhe bëra denoncimin. ” - tregon Shpresa.

Historia e saj është e ngjashme në thelb me atë të qindra grave të cilat rrihen dhe keqtrajtohen fizikisht nga bashkëshortët e tyre. Po ashtu edhe rrethanat që sjellin ushtrimin e dhunës: e ardhur nga Elbasani, e papunë, bashkëshorti me punë sezonale, vështirësi ekonomike, fillimi i alkoolit dhe pastaj dhuna fizike.

Thelbi i problemit - trajtimi i gruas si pronë

Nga gjithë sa Shpresa tregon kuptohet qartë se pas dhunës fizike qëndrojnë disa faktorë realë. Eglantina Gjermeni, një nga protagonistet e shoqërisë civile për të drejtat e gruas, pedagoge për Barazinë Gjinore në Universitetin e Tiranës, tregon se cilët janë këta faktorë: “Ka faktorë socialë, ekonomikë që lidhen me varfërinë, papunësinë, periudhën e zgjatur të tranzicionit, mungesën e informacionit, me mendësinë, pabarazinë gjinore, faktorë që ndërthuren mes tyre. Por në bazë të tyre është trajtimi i gruas si pronë, trajtimi i saj më shumë si objekt sesa si subjekt, gjë që i jep të drejtën gjinisë mashkullore për ta dhunuar fizikisht, psikologjikisht, seksualisht apo ekonomikisht.”

Eglandina Gjermeni
Eglandina GjermeniFotografi: DW

Beteja që duhen fituar çdo ditë

Që kjo të mos vazhdojë të ndodhë shoqëria civile, institucionet shtetërore dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara të pranishme në Shqipëri po bashkërendojnë përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të vetë gruas për të drejtat e saj. Ky bashkëpunim ka dhënë frutet e veta. Në krye të tyre qëndron miratimi i ligjit për ”Masat kundër dhunës në familje” dhe hartimi i një strategjie kombëtare deri në vitin 2010 për të parandaluar dhunën ndaj gruas. Zonja Gjermeni thotë se betejat në luftën për ndalimin e dhunës ndaj gruas duhen fituar çdo ditë me zbatimin rigoroz të ligjit, bashkëpunimin sistematik të gjithë aktorëve të përfshirë..

“Ekzistojnë mekanizma institucionalë, duhet përforcuar zbatimi i tyre në praktikë dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik lidhur me egzisterncën e ligjeve, lidhur me dhunën si shkelje e të drejtave të njerit duhet të vazhdojnë që në sistemet e edukimit dhe deri në shërbimet sociale dhe më tej.” thotë Eglandina Gjermeni

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani