1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhunë në rritje në Irak

Daniel Scheschkewitz23 Nëntor 2006

Në raportin e fundit të OKB-së thuhet se numri i viktimave civile gjatë muajit të kaluar në Irak ka arritur një rekord tronditës. Gjatë trazirave të muajit të kaluar janë vrarë 3.709 civilë.

https://p.dw.com/p/Aqa1
Pamje gati e zakonshme në Bagdad
Pamje gati e zakonshme në BagdadFotografi: AP

Presidenti amerikan Xhorxh Bush në përfundim të samitit të Natos në Riga, do të udhëtojë për në Aman të Jordanisë ku do të takohet me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki. Me ftesën e mbretit jordanez Abdullahu i II, do të debatohet mbi mundësinë që vendet fqinje të kontribuojnë më shumë në vendosjen e sigurisë në Irak.

Se sa e keqe është situata aktuale në Irak, dëshmon raporti më i ri i përfaqësuesve të OKB-së i prezantuar të mërkurën. Në raport thuhet se dy muajt e fundit në Irak janë vrarë rreth 7000 civilë. Numri i të vrarëve në tetor ishte 3709, që paraqet edhe shifrën më të lartë të njerëzve të vrarë që prej ndërhyrjes ushtarake amerikane në këtë vend, në vitin 2003. Numri i të vrarëve në shtator ishte 3345.

Në raport thuhet se një numër shumë i madh i të vrarëve në Bagdad janë keqtrajtuar dhe janë ekzekutuar me plumba në kokë. Kjo dëshmon për ngritjen e nivelit të dhunës etnike, që kryhet prej grupeve të ndryshme, bandave apo dhe milicëve. Në vendin e dytë janë vrasjet e civilëve gjatë shpërthimeve, dhunës terroriste dhe luftimeve mes kryengritësve dhe përfaqësuesve të forcave të sigurisë.

Ndërkohë që vetëm në shtator, gjenerali amerikan John Abizaid deklaroi në Uashington se dhuna në Irak po zvogëlohet: "Ndonëse niveli i dhunës mes grupeve të ndryshje etnike edhe më tej mbetet shumë i lartë dhe brengosës, gjendja tani nuk është aq e keqe sa në gusht", deklaroi gjenerali.

Përfaqësuesit e qeverisë në Bagdad thonë se të dhënat e fundit të OKB-së janë të stërmadhuara. Mirëpo qeveria e atjeshme nuk ka paraqitur të dhënat e veta për viktimat. Ndërkohë që ministria amerikane e mbrojtjes numëron vetëm viktimat amerikane. Prej fillimit të konfliktit deri më sot, në Irak janë vrarë 2866 amerikanë.