1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dera për Turqinë mbetet e hapur

29 Prill 2017

Drejtpeshim strategjik në vend të fajësimeve dypalëshe: Në takimin e ministrave të Jashtëm në Malta (28.04), shumica kërkoi vazhdimin e negociatave, megjithë deficitet demokratike në Turqi.

https://p.dw.com/p/2c70f
Malta EU-Außenministertreffen
Takimi i ministrave të Jashtëm në Malta, MogheriniFotografi: DW/M. Luy

Si të veprohet me Turqinë pas referendumit dhe arrestimeve masive të ditëve të fundit? Në takimin e tyre jozyrtar në Malta, ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan qëndrimin e BE-së ndaj zhvillimeve të fundit në Bosfor. Debati u zhvillua në sfondin e kërkesave që BE t'i thotë lamtumirë gënjeshtrës së gjatë të negociatave të pranimit të Turqisë në BE. Por ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius kishte paralajmëruar: „Turqia është vend kyç dhe aleat i NATO-s. Duhet të mos e presim lidhjen, duhet të veprojmë me përgjegjësi."

Shumica kundër ndërprerjes së negociatave

„Deklaratat e disa kolegëve kanë të bëjnë më shumë me politikën e brendshme", tha Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm gjerman. Ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz ai e cilësoi një populist të talentuar. Ky i fundit kishte kërkuar fundin e negociatave, sepse „është e gabuar të mbash gjallë gënjeshtrën e anëtarësimit, në një kohë që Turqia po largohet gjithnjë e më shumë nga Europa." Sipas tij me arrestimet masive të Turqisë është shkelur vija e kuqe.

Malta EU-Außenministertreffen
Fotografi: DW/M. Luy

Por ministri i Jashtëm austriak nuk ishte i vetëm me deklaratat e tij. Jean Asselborn, ministri i Jashtëm i Luksemburgut kërkoi fundin e negociatave, sepse me referendumin „ka vdekur Turqia e lirë dhe shteti ligjor”. Por Gabriel nga ana e tij ka bërë të qartë, se qeveria gjermane nuk do ta këpusë fillin e dialogut me Ankaranë. Kjo ka të bëjë edhe me atë, që qeveria gjermane nuk do të luajë lojën e Ankarasë, që pretendon, se europianët janë ata që po largohen nga Turqia.

Topi në anën e Ankarasë

Megjithatë ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel nuk kërkon „të ecet më si më parë". Jemi në një „situatë super të komplikuar", por duhet megjithatë të flasim me njëri-tjetrin, tha ai. „Kush do të hyjë në BE, duhet të respektojë të drejtat e njeriut, kjo është e qartë, por Turqia mbetet fqinji ynë, dhe ne nuk duam ta detyrojmë atë të marrë drejtimin nga Rusia", tha Gabriel.

Gjermania kërkon hapjen e kanaleve të reja të bisedimit me Turqinë, në kuadër të debatit për unionin doganor dhe marrëveshjen e asociimit. Edhe Ankaraja duhet të sjellë propozimet e saj, kërkoi Gabriel. Nga ana tjetër për t'i ofruar palës turke edhe diçka pozitive, veçanërisht shoqërisë civile dhe kundërshtarëve të referendumit, Gabriel propozoi që gazetarëve, shkrimtarëve dhe studiuesve t'u mundësohet udhëtimi pa viza në BE. Dihet që liberalizimi i vizave është një temë mjaft e debatuar mes Turqisë dhe BE-së.

Malta EU-Außenministertreffen | Mevlut Cavusoglu, Türkei
Ministri i Jashtëm turk, CavusogluFotografi: picture-alliance/Anadolu Agency/C. Ozdel

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini bëri të qartë, se nuk ka një shumicë në BE që Turqisë t'i mbyllet dera. „Procesi i anëtarësimit as nuk ka ngrirë dhe as nuk është mbyllur, por për momentin nuk po punohet me të", deklaroi ajo. Diskutimi mes ministrave të Jashtëm ishte i hapur u tha, gjë që nënkupton mes diplomatëve se ka pasur grindje.

Kërkohet lirimi i gazetarëve - rasti Deniz Yücel

Vetë ministri i Jashtëm turk, Cavucoglu, që iu bashkangjit bisedimeve të ministravetë Jashtëm u shpreh, se vendi i tij është i interesuar për progres, raportoi Mogherini. Por këtu ajo i drejtoi apel Turqisë. Ankaraja është vetë përgjegjëse për stanjacionin apo progresin. „Dihet shumë çfarë do të thotë kjo (anëtarësimi), që nga ruajtja e të drejtave të njeriut, tek liria e medias dhe pavarësia e drejtësisë." Në kuadër të takimit ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel kritikoi Ankaranë " që na e bën kaq të vështirë me arrestimin e gazetarëve si Deniz Yücel dhe të tjerëve.” Qeveria gjermane angazhohet pandalur që ai të lirohet, theksoi Gabriel, duke shtuar "se akuzat ndaj tij janë absurd dhe ne nuk do të tërhiqemi.”