1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputetët rusë duan të ndalojnë Deutsche Welle-n

21 Gusht 2024

Deputetët rusë po bëjnë thirrje që Deutsche Welle të shpallet "e padëshirueshme", gjë që do të çonte në ndalimin e përmbajtjes së saj në të gjitha platformat në vend.

https://p.dw.com/p/4jj5W
Ndertesat e Deutsche Welle-s në Bonn, Gjermani
Ndërtesat e Deutsche Welle-s në Bonn, GjermaniFotografi: M. Becker/dpa/picture alliance

Deputetët e Dumas, dhoma e ulët e Parlamentit rus, propozuan që Deutsche Welle dhe British Council të shtohen në listën e organizatave "të padëshirueshme" në Rusi.

Kërkesa e tyre është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme të Federatës Ruse, deklaroi të martën kryetari i Komisionit për Siguri dhe Kontroll të Korrupsionit, Vasili Piskarev.

"Ne nënkuptojmë bllokimin e llogarive të tyre, mbylljen e degëve dhe zyrave të tyre dhe ndalimin e shpërndarjes së materialit informativ”, tha ai. Dhe ata që vazhdojnë të bashkëpunojnë apo vendosin kontakte me ta do të jenë subjekt i përgjegjësisë administrative dhe penale”.

Rusia  e quan Deutsche Wellen tashmë "agjente të huaj"

Autoritetet ruse e ndaluan Deutsche Welle-n të transmetonte në Rusi më 3 shkurt 2022 dhe e etiketuan atë si "agjente të huaj" në mars të të njëjtit vit.

Drejtori ekzekutiv i Deutsche Welle, Peter Limbourg, e dënoi veprimin, duke e quajtur atë një "vendim arbitrar nga autoritetet ruse".

"Është një sulm i ri ndaj lirisë së shtypit dhe një përpjekje e re për të izoluar popullsinë ruse nga mediat e lira dhe të pavarura”, deklaroi ai.

Organizata "të padëshirueshme" në Rusi

Gushtin e kaluar, Rusia miratoi një ligj të ri për të ashtuquajturat organizata "të padëshirueshme". Deri atëherë, vetëm organizatat joqeveritare mund të shpalleshin "të padëshirueshme", veçanërisht institucionet opozitare si fondacionet politike, grupet e të drejtave të njeriut dhe shoqatat mjedisore.

Me ligjin e ndryshuar, çdo organizatë e huaj mund të shpallet "e padëshirueshme” nëse "themeluesit apo palët e interesuara të saj janë organizata shtetërore të një shteti të huaj”.

Pjesëmarrja në aktivitetet e organizatave të tilla parashikon dënime të rënda deri në katër vjet burg, si dhe heqje të së drejtës për të mbajtur poste të caktuara. Financimi i organizatave të tilla mund të dënohet deri në pesë vjet burg, dhe organizimi i aktiviteteve të tyre mund të dënohet deri në gjashtë vjet.

Numri i organizatave "të padëshirueshme" në Rusi është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në vitin 2022, autoritetet ruse thuhet se klasifikuan 23 organizata si "të padëshirueshme", dhe në vitin 2023, numri u rrit në 58. Që nga 14 gushti 2024, pothuajse 200 organizata në Rusi janë klasifikuar si "të padëshirueshme".