1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debate për rimbledhjen e Kuvendit të Maqedonisë

24 Prill 2020

A do të rimblidhet sërish Kuvendi i Maqedonisë? Nëse deputetët e LSDM dhe partnerët e koalicionit janë për vazhdimin e punës së Kuvendit, VMRO-DPMNE është kundër. Për të ky është shpërqëndrim i vëmendjes së opinionit.

https://p.dw.com/p/3bLCj
Mazedonien, Skopje: Parlamentssitzung über Verfassungsänderung
Fotografi: Regierung Mazedonien

Deputetët e LSDM-së dhe të partnerëve të tyre të koalicionit po konsultohen dhe grumbullojnë nënshkrime për iniciativën për thirrjen e seancës së Kuvendit të shpërndarë të Maqedonisë së Veriut, që të konfirmohen vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme prej 30 ditëve në vend për shkak të pandemisë me virusin korona. Iniciativa për konstituimin e Kuvendit vjen pasi që Maqedonia e Veriut e ka vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme edhe për 30 ditë për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi korona.

LSDM: Kushtetuta mundëson vazhdimin e punës së Kuvendit

Nga LSDM theksojnë se seanca e Kuvendit të shpërndar mund të thirret me 20 nënshkrime të grumbulluara të deputetëve në bazë të nenit 67 të Rregullores për Punë të Kuvendit. Sipas nenit 63 të Kushtetutës, "mandati i deputetëve në Kuvend mund të vazhdohet vetëm në rast të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme”.

"Qëndrimi i grupit parlamentar të LSDM-së është se Kuvendi duhet të jetë në funksion dhe për këtë janë përmbushur të gjitha kushtet e shënuara në Kushtetutë.Qëllimi ynë është që të bëjmë edhe një përpjekje që të thirret seancë në të cilën do të konfirmohen vendimet e Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme .Kuvendi duhet të jetë në funksion dhe nëse në të ardhmen ka nevojë përsëri për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka deklaruar Jovan Mitrovski koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Nord-Mazedonien Skopje Coronavirus
Atmosfera në Shkup në kohë të CoronësFotografi: DW/P. Stojanovski

VMRO-DPMNE kundër fillimit të punës së Kuvendit

Nismën për rikthim në punë të Kuvendit të shpërbërë nuk e mbështet partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas tyre pushteti me këtë nismë dëshiron ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit  për disa vendime që janë marrë në periudhën e pandemisë dhe keqmenaxhimin e situatës me koronavirusin. "Çfarëdo hapi që është jashtë asaj që janë marrë vesh në takimin e liderëve në takimin e fundit të liderëve politik, paraqet shkelje të njëanshme të parimit për konsensus politik. Është e qartë se bëhet fjalë për dy gjëra. Zaev futet në aranzhim privat me deputetë ose është dëshira shumë e madhe të bëhet gjueti në mjegull”, thotë deputeti i VMRO-DPMNE-së Vllado Misajllovski. Nga BDI-ja jozyrtarisht thonë se deri tani askush prej tyre nuk ka kërkuar mbështetje për këtë nismë. "Njëherë ta shohim, e pastaj do vendosim”, thonë nga BDI-ja.

PDSH kërkon edhe qeveri të unitetit

Nga Partia Demokratike Shqiptare vlerësojnë se duhet të thirret Kuvendi, ndërsa thonë se do ta mbështesin iniciativën. Nëse në momente të caktuara siç gjendemi tani, kemi gjendje të jashtëzakonshme, ekziston rrezik i madh që qeveria të veprojë pa kontroll parlamentar. Mendojmë se në seancën e parë të Kuvendit do të duhet të diskutohet për qeveri të unitetit nacional, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare”, thekson Menduh Thaçi kryetar i PDSH-së.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka deklaruar se ende nuk ka marrë iniciativën për rifillimin e punës së Kuvendit. Nëse iniciativa arrin te kryeparlamentari, ai do ta shqyrtojë dhe do të sjellë vendim. Xhaferi nuk i komenton deklaratat nga pjesëtarë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për konstituim të sërishëm të Kuvendit, pasi i njëjti u shpërnda në shkurt për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhej të mbaheshin më 12 prill.

Për atë se si do të mbahej seanca, Xhaferi me qëndrim se Kuvendi do të punonte sipas rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore për mbajtjen e distancës gjegjësisht në mënyrë elektronike ose në salla të Kuvendit ku mund të sigurohet distancë prej dy metrave mes deputetëve. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut u shpërnda më 16 shkurt për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill. Zgjedhjet u shtynë për shkak të pandemisë me Covid-19.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut