1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat për vrasjen e qenve të rrugës

Keno Verseck/ Auron Dodi5 Tetor 2013

Një ligj i ri lejon në Rumani vrasjen masive të qenve të rrugës. Mbrojtësit e kafshëve brenda dhe jashtë vendit protestojnë. Ata mbështesin programe sterilizimi.

https://p.dw.com/p/19u1N
Fotografi: PETA Deutschland

Qen rrugësh sulmuan në Budapest më 2 shtator 2013 një djalë katër vjeç duke luajtur, i cili më vonë vdiq si pasojë e kafshimeve të tyre. Mjekët ligjorë dhe prokuroria nuk dyshojnë se sulmi i qenve ishte shkaku i vdekjes së tij. Pas këtij rasti dramatik, parlamenti i Rumanisë miratoi në procedurë të përshpejtuar në gjysmën e parë të shtatorit një ligj të ri, i cili u lejon autoriteteve në Rumani që t'i vrasin qentë e rrugëve.

Komunat duhet t'i ushqejnë qentë që i kapin për 14 ditë dhe nëse nuk gjendet njeri që t'i pranojë ata deri atëherë, kanë të drejtë t'i vrasin qentë. Më parë ligji thoshte se qentë pa zot lejohet të vriten vetëm kur janë të sëmurë në mënyrë të pashërueshme ose janë agresivë.

Gjykata kushtetuese e deklaroi ligjin javën e kaluar në përputhje me kushtetutën. Mbrojtësit rumunë të ambjentit nga ana tjetër protestuan dhe e treguan pakënaqësinë e tyre në një demonstratë në Bukuresht. Edhe nga bota e jashtme erdhën kritika. Dizajneria gjermane dhe mbrojtësja e kafshëve, Maja von Hohenzollern e quajti Rumaninë për shkak të ligjit të ri si "turpi i Evropës".

"Masakra të autoriteteve ndaj qenve deri tani nuk ka", tha aktivisti rumun i mbrojtjes së kafshëve, Kuki Barbuceanu nga organizata ndërkombëtare "Katër putrat". Por pas miratimit të ligjit janë vërejtur disa dyzina rastesh së vrasjes së qenve nga persona privatë. Kjo nuk mund të pranohet.

Shumë viktima nga kafshimet e qenve në Rumani

Problemi ka përmasa serioze: disa qindra mijëra qenë rrugësh mendohet se ka në qytetet dhe komunat e Rumanisë, rreth 65.000 mendojnë autoritetet ka vetëm në kryeqytet. Në Bukuresht, qendra Anti-Tërbim pranë Institutit për sëmundjet infektive "Matei Bals" regjistroi vetëm këtë vit 10.000 vaksinime pas kafshimeve prej qenve - vitin e kaluar në Bukuresht pati 16.000 raste të kafshimit nga qentë.

Publicisti Iulian Leca shkroi para pak kohësh një koment për portalin rumun të lajmeve ziare.com: "Qentë e rrugëve ka kohë që i kanë pushtuar qytetet e Rumanisë. Para së gjithash natën janë ata që e kanë pushtetin dhe jo ruajtësit e rendit të paguar nga shteti."

PETA Ukrainische Hunde
Fotografi: PETA Deutschland

Djali i vogël nuk është viktima e parë nga kafshimi i qenve. Vitin e kaluar, në veri të vendit nga kafshimi i qenve vdiq një pensioniste. Në janar 2011 qenë të rrugëve të Bukureshtit sulmuan punonjësen e një firme të riciklimit të mbeturinave, e cila vdiq tri ditë më vonë nga plagët e marra.

Mbrojtësit e kafshëve kërkojnë sterilizimin e qenve

Rumania nuk është rast i veçantë: thuajse edhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit - para së gjithash në Ukrainë, në Bullgari dhe në Serbi - ka shumë qenë rrugësh. Ukraina vendosi në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit 2012 vrasjen masive të qenve. Pas presionit të mbrojtësve ndërkombëtarë të kafshëve, në qytete si Kievi apo Odesa, tani gjithnjë e më tepër qentë i sterilizojnë. Sterilizimi, thotë zëdhënësi i "Katër Putrave", Gabriel Paun është një mjet më efektiv se vrasja e qenve. Qentë e sterilizuar mund të nxirren sërish në rrugë, sepse janë më pak agresivë.

Edhe në Rumani, në qytete të veçanta ka programe sterilizimi. Por personeli për t'i kapur qentë është i pamjaftueshëm. Veç kësaj, shumë para të menduara për sterilizimin e qenve përfundojnë në xhepa privatë.