1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

DANS -i bullgar para mbylljes?

6 Nëntor 2009

Kryeministri bullgar Borisov ka kërcënuar se do të mbyllë shërbimin sekret shtetëror të vendit DANS, një lloj FBI-je bullgare. Arsyeja e mundshme është një raport delikat mbi klanet dhe korrupsionin dhe shpërdorimin.

https://p.dw.com/p/KQLD
Kryeministri i Bullgarisë, Borisov mund të mbyllë shërbimin sekret shtetëror të vendit DANS
Kryeministri i Bullgarisë, Borisov mund të mbyllë shërbimin sekret shtetëror të vendit DANSFotografi: SA-Vladimir Petkov

Në vështrim të parë dukej sikur ishte vetëm një larje hesapesh mes rivalësh. Kryeministri i ri bullgar, Boyko Borisov e akuzoi pararendësin e tij Sergey Stanishev të Partisë Socialiste, se ka zhdukur në tetor të 2008-ës një raport sekret, që i është dorëzuar nga Shërbimi Sekret shtetëror DANS, për t`i dhënë kohë për të shpëtuar anëtarëve të kabinetit të tij të akuzuar në raport për korrupsion. Tani prokuroria nuk është duke zhvilluar hetime vetëm kundër Stanishevit, por edhe kundër një dërguesi anonim, që e publikoi në internet raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008.

30 faqet e raportit konfimojnë vetëm ato, që mediat dhe qeveritë perëndimore kanë ditur prej kohësh dhe që Sofia është munduar t`i trivializojë, për shpërdorimin e fondeve të BE-së me bekimin e qarqeve të larta politike, për tarafet e politikanëve dhe kriminelëve dhe korrupsionin pa fund.

Ish- kryeministri Stanishev pati iniciuar në janar të 2008-ës krijimin e agjensisë DANS, pas shkurtimit të ndihmave të BE-së për shkak të skandaleve të Ministrisë së Brendshme dhe kontakteve të shumë zyrtarëve me botën kriminale në gjithë Bullgarinë.

Publiku bullgar duket i hutuar. A prezanton DANS-i në raportin e tij realitetin e pazbukuruar bullgar apo, siç pretendon edhe kryeministri i ri Borisov, është ky institut një lloj "policie politike" personale e pararendësit të tij? Pak kohë më parë DANS-i u akuzua se kishte marrë në pyetje gazetarët dhe shkruesit kritikë, njëjtë si në kohën e shërbimit sekret bullgar të komunizmit, duke organizuar "biseda informative".

Shqetësimi i kryeministrit mund të ketë edhe arsye të tjera. Ndërkohë ka dalë edhe raporti i çështjeve të sigurisë për gjysmën e parë të vitit 2009. Dhe kësaj herë raporti nuk është mbajtur sekret, megjithëse marrësit e tij ndër të cilët edhe shumë gazetarë duhet të nënshkruanin një dokument ku premtonin të mos e publikonin atë. Përmbajtja ishte delikate, fondet e BE-së vazhdojnë të shpërdorohen, kryesisht në bujqësi dhe prej "korrupsionit" të punonjësve të fondeve shtetërore, të cilat kontrollohen shumë pak. Për të mbërritur në marrjen e fondeve të BE-së janë zhdukur ose falsifikuar dokumenta, janë falsifikuar dokumentat e pronësisë duke i vënë në emrat e të vdekurve.

Nga ndihmat financiare të BE-së nuk kanë përfituar vetëm bullgarët. Edhe grekët dhe turqit, sipas raportit kanë shfrytëzuar momentin e përshtatshëm. Ata kanë blerë ose marrë me qira nëpërmjet bullgarëve, që kanë shërbyer si mashë, toka dhe fusha të mëdha në Bullgari, për të marrë subvencione të BE, që llogariten në bazë të sipërfaqes së tokës.

Në sistemin e shëndetësisë, mjekët dhe spitalet kanë sajuar pacientë fiktivë, duke dërguar ndihmat në institucionet e tjera. Prodhuesit privatë të medikamenteve kanë shfrytëzuar monopolin për të arritur në çmime të larta për medikamente jetësore, duke ndërprerë furnizimin e tyre.

Nuk ka asnjë truk që nuk është përdorur nga mashtruesit. Pronarë firmash që kanë marrë para nga firma ose e kanë shpënë atë në falimentim, për shkak të administrimit të keq, ua kalojnë firmat e tyre të mbushura me borxhe personave me dobësi sociale, kryesisht romëve. Kështu ata i shpëtojnë përgjegjësisë dhe pagimit me kapitalin e tyre privat.

Kuptohet që në këtë vend me ligje elastike, sistem diskriminues drejtësie dhe aparat shtetëror të infiltruar nga mafiozët ndihen të sigurt edhe pastruesit e parave. Ky sektor dominohet nga kapitali rus me prejardhje të padeklaruar. Pra, sipas raportit të DANS-it, ata përdorin kontot bullgare duke shkruar si tranzit në vendet baltike, prej nga paratë rrjedhin sërish drejt Rusisë.

Pak ndryshime në krahasim me vitin e mëparshëm ka edhe në aktivitetet e kriminalitetit të organizuar, ku ushtrimi i presionit, rrëmbimet dhe kërcënimet me dhunë fizike janë kthyer në pjesë të jetës së përditshme prej vitesh. Nuk janë ende alarmuese, megjithatë shqetësuese, sipas raportit, shenjat e para të terrorizmit ndërshtetëror. Organizata shiite të hisbollahëve kanë ngritur tashmë bazat e tyre në Bullgari. Ide radikale të ekstremistëve islamikë janë përkrahur nga shumë komuna lokale myslimane të vendit.

Në raportin e DANS-it thuhet se ky shërbim kërkon punonjës, që flasin gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për vëzhgimin e njerëzve shqipfolës që jetojnë në Bullgari me status të ndryshëm. Raporti përmend se në Bullgari është prezent edhe Shërbimi Informativ Serb, si dhe Shërbimi Informativ i ri i Kosovës. Personat shqipfolës që vëzhgohen në Bullgari janë pjesëmarrës në aktivitetet ndërshtetërore.

(Der Spiegel / AA/ ACA)