1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dallimet mes politikës familjare në Francë dhe Gjermani

Alois Berger / Bahri Cani11 Qershor 2013

Në Francë lindin shumë më tepër fëmijë se në Gjermani. Cilat janë shkaqet e një politike më të suksesshme familjare në Francë dhe sa do ta ndikojë këtë politikë kriza ekonomike?

https://p.dw.com/p/18nTH
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Numri i gjermanëve po zvoglohet për shkak të nivelit të ulët të natalitetit", llogaritë Dominik Grillmeyer nga Instituti Gjermano-Francez. Në anën tjetër, "francezët po shtohen gjithnjë e më shumë". Një grua në Gjermani lind mesatarisht vetëm 1,4 fëmijë, ndërsa në Francë 2,1. Grillmeyer vlerëson se në një të ardhme të shpejtë do të ketë më shumë francezë se sa gjermanë.

Politika aktuale gjermane e familjes nuk është duke nxitur rritjen e numrit të lindjeve, mendon Christina Schildmann nga Fondacioni Friedrich-Ebert. Problemi më i madh është barazia mes meshkujve dhe femrave në profesion, sepse femrat shumë shpesh kanë edhe probleme për të koordinuar familjen dhe profesionin. Në një studim të Fondacionit thuhet se sa më i lartë të jetë niveli i punësimit të femrave, aq më i lartë është edhe niveli i lindjeve, gjë që dëshmojnë statistikat jo vetëm në Francë por edhe në vendet skandinave.

Christina Schildmann nga Fondacioni Friedrich Ebert
Christina Schildmann nga Fondacioni Friedrich EbertFotografi: imago

Vendet e domosdoshme në kopshte

Qeveria franceze ka bërë të ditur se në kuadër të kursimeve do të ketë shkurtime edhe për familjet, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta. Politika e familjes konsiderohet si esenca e modelit social francez. Sistemi i tyre social dallon nga ai gjerman. "Në Francë thuhet se fëmijët sa më parë duhet të dalin në shoqëri, sepse kjo e ndihmon karakterin e tyre", thotë Angela Greulich nga Univeristeti i Parisit për ekonomi dhe shkenca sociale. Ndërsa në Gjermani ekziston një filosofi tjetër: fëmijët duhet të ruhen sa më gjatë nga bota e jashte negative, për të ruajtur shpirtin e tyre të pastër.

Kopësht fëmijësh në Francë
Kopësht fëmijësh në Francë: integrim në shoqëri qysh në moshë të njomëFotografi: Eric Cabanis/AFP/Getty Images

Ky parim për integrimin e fëmijëve në shoqëri vërehet në të gjitha strukturat franceze: që nga kopshtet, përmes sistemit të edukimit dhe më vonë në arsim. Institucionet për bebe, kopshtet, institucionet parashkollore dhe shkollat gjatë tërë ditës të cilat po ndërtohen tani në Gjermani, ekzistojnë kaherë në Francë. Më shumë se 40 për qind e grave të Francës me fëmijë të moshës parashkollore punojnë me orar të plotë. Në Gjermani gjysma e grave me fëmijë të vegjël rrinë në shtëpi, ndërsa shumë të tjera punojnë me orar të shkurtuar. Ajo që të bie në sy është edhe fakti se sa më lart ngrihen femrat në stukrurat udhëheqëse në Francë, aq më shumë fëmijë lindin mesatarisht.

Ndërkohë edhe në Gjermani po bëhen përpjekje të mëdha për rregullimin e sitemit të përkujdesjes për fëmijët e vegjël, por pa ndonjë sukses tepër të madh. Dominik Grillmeyer thotë se këtu kemi edhe problemin e mentalitetit, sepse në Gjermani nuk shikohet me sy të mirë nëse një nën e jep fëmijët e saj tërë ditën në ndonjë institucion. Ndërsa në Francë nuk mund të paramendohet që një nënë të kritikohet vetëm pse gjatë ditës e ka lënë fëmijën nën përkujdesjen e dikujt tjetër.

Pa shtesa për familjet me vetëm një fëmijë

Shteti francez edhe sot i stimulon familjet me më shumë fëmijë. Për dallim prej Gjermanisë, atje nuk ka shtesa nëse një familje ka vetëm një fëmijë. Shtesat për fëmijë jepen vetëm pas lindjes së fëmijës së dytë, ndërsa paratë shtohen edhe më shumë me lindjen e fëmijës së tretë. Edhe sistemi i tatimeve ndryshon mes këtyre dy vendeve, sepse në Francë ka lehtësime shtesë pas lindjes së fëmijës së tretë, ndërsa famliljet që kanë katër fëmijë nuk paguajnë pothuajse fare tatime.

Foto simbolike: një nënë e re me foshnjën në vendin e punës
Harmonizim i familjes me karrierën: problem për shumë gra në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Sistemi i tatimeve në Francë është për familjet më atraktiv. Por si pasojë e krizës është shtuar presioni edhe ndaj familjeve. Parisi duhet të kursejë. Pas kritikave të shumta, qeveria ka bërë të ditur se politika e familjes nuk do të preket shumë, por para disa ditësh është marrë vendimi që të caktohet edhe kufiri i lartë i lehtësimeve në tatime. Presidenti Hollande shpreson se në këtë mënyrë do të sigurohen për buxhetin rreth dy miliardë euro. "Reforma ka kaluar edhe votimin në parlament", shpjegon Angela Greulich duke shpjeguar se "nga ky rregull janë prekur vetëm të pasurit."

Por Dominik Grillmeyer është i bindur se asnjë qeveri në Francë nuk do të guxojë të prekë rrjetin e përkujdesit të fëmijëve. Koordinimi i familjes dhe profesioni është për francezët tepër i rëndësishëm. "Në esencë në Gjermani priten ndryshime më të mëdha në politikën ndaj familjes se sa në Francë", pohon ai.