1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CSU-ja do të mbetet e pavarur!

Peter Stützle30 Shtator 2007

Ervin Huber zgjidhet kryetar i CSU-së - Shtoiberi bëhet kryetar nderi. Bekshtajn kryeministër, Zehofer zëvendëskryetar

https://p.dw.com/p/BlDt
Edmund Shtoiber uron Ervin HuberinFotografi: AP


Ervin Huber (Erwin Huber) dukej nervoz kur po i afrohej podiumit mbas publikimit të rezultatit të votimit: „Të dashur miq, unë po e pranoj këtë votim. Ju faleminderit për këtë besim të madh dhe ju lutem të gjithëve, që të qëndrojmë së bashku. Kemi përpara sfida të mëdha!"

Bekshtajn kryeministër, Zehofer zëvendëskryetar

"Para së gjithash i lutem edhe Horst Zehoferit (Horst Seehofer) dhe Gynter Bekshtajnit (Günter Beckstein) që të bashkuar të realizojmë detyrat e mëdha që kemi në Bavari dhe Gjermani", tha Huber.

Ministri i Bujqësisë në rang federate, Horst Zehofer, u zgjodh zëvëndeskryetar i partisë, ndërsa Gynter Bekshtajn, ministri aktual i punëve të brendshme në Bavari, u emërua zyrtarisht për postin e kryeministrit të landit gjermanojugor.

Shtoiber largohet

Kështu u ndanë postet e ish-kryetarit të Bavarisë, Edmund Shtoiber (Edmund Stoiber), i cili në vitin 2002 për shumë pak vota nuk arriti të bëhej kancelar i Gjermanisë. Shtoiberi nuk mund të ikte, pa dhënë një këshillë për dy pasardhësit e tij: „Përgjegjësia është e ndarë tani mbi dy shpatulla dhe ju duhet ta shfrytëzoni këtë në të mirë të CSU-së, dhe para së gjithash: "Ma mbani CSU-në të bashkuar!"

Për postin e kryetarit të CSU-së kishin kandiduar krahas Zehoferit, i cili u shpërblye me postin e zëvendsëkryetarit, edhe Gabriele Pauli, e cila pat luajtur rolin kryesor në largimin e Shtoiberit. Për këtë shkak edhe simpatia e delegatëve për të nuk ishte shumë e madhe. Gjithsesi 24 syresh ia dhanë votën.

Huber do të ruajë pavarësinë


Ervin Huber gëzon mbështetjen e politikanëve të landit dhe atyre komunalë, të cilët përbënin shumicën e delegatëve në kongres. Ata tani shpresojnë se Huber do të jetë në gjendje t'i mbrojë më mirë se Zehofer interesat e tyre para partisë simotër, Unionit Kristiandemokrat (CDU), të Angela Merkelit.

Të dyja këto parti përfaqësohen në Bundestag me një grup të përbashkët parlamentar. "CSU-ja është e pavarur dhe ajo do ta ruajë këtë pavarësi edhe në marrëdhëniet e saj motërore me CDU-në. CDU-ja duhet ta dijë, se për të qeverisur Gjermaninë asaj i nevojitet një CSU e fuqishme", tha Huber.

Shtoiberi ka të drejtë të vëzhgojë

Ishte fundi i një grindjeje tetëmuajshme në radhët e CSU-së. Partia që ekziston vetëm në Bavari, e qeveris landin me shumicë absolute qysh nga viti 1962. 14 vjetët e fundit timonin e kishte në dorë, Edmund Shtoiber, i cili nuk është larguar tërësisht. Delegatët e zgjodhën atë njëzëri për "kryetar nderi" duke i dhënë kështu mundësinë që të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e kryesisë.