1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

COP26:Vazhdojnë debatet në Konferencën për Klimën në Glasgou

13 Nëntor 2021

Konsultimet në Konferencën Botërore për Klimën në Glasgou po zgjasin: Në fakt konferenca në Glasgou duhej t'i mbyllte punimet të premten (12.11). Por po luftohet fort për formulimet e deklaratës përmbyllëse.

https://p.dw.com/p/42wvS
UN-Klimakonferenz COP26 in Glasgow I Debatte
Fotografi: Jane Barlow/empics/picture alliance

Debate me orë të zgjatura për një sinjal mbarëbotëror për ndalimin e qymyrit dhe për më shumë ndihma financiare për vendet e varfëra po frenojnë mbylljen e Konferencës Botërore për Klimën. Drafte të reja për deklaratën përfundimtare të COP26 pritet të paraqiten gjatë së shtunës (13.11) , mësohet nga qarqet e negociuesve në konferencë. Në fund samiti mund të mbyllet të shtunën pasdite, ndërkohë që ishte planifikuar të përfundonte të premten në mbrëmje.

Ndërsa disa shtete avancojnë shumë me kërkesat e tyre, shtete të tjera nuk janë kaq ambiciozë. Shoqatat e mjedisit tërheqin vëmendjen që deklarata të mos vendoset në minutën e fundit duke mbetur e zbehtë në përmbajtje.

UN-Klimakonferenz COP26 in Glasgow I PK
Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Në një nga draftet paraprake thirrja për shkëputjen nga përdorimi i qymyrit dhe subvencionet për energjinë fosile u zbut nën presionin e vendeve në ekspansion. Në draftin e fundit korrigjimi u bë duke kërkuar heqjen vetëm të subvencioneve "jo efikase" si dhe të centraleve, emisionet e CO2 të të cilave nuk eliminohen dhe nuk mund të absorbohen.

Kryetari i Shoqatës gjermane Greenpeace, Martin Kaiser, deklaroi, se boshllëqet sa i përket temës së qymyrit dhe subvencioneve duhet të mbyllen urgjentisht. Në rast të kundërt kjo konferencë në Glasgou rrezikon të dështojë. Tani ka ardhur koha që ministrja gjermane ende në detyrë e Mjedisit Svenja Schulze të demonstrojë në bisedime peshën e kombit me ekonominë e katërt të fuqishme në botë.

UN-Klimakonferenz COP26 in Glasgow I Protest
Fotografi: Andy Buchanan/AFP

Schulze të premten në mbrëmje - pavarësisht çështjeve ende të hapura - u shpreh për "përparime të mira". Ndër të tjera ajo përshëndeti një sërë nismash për mbrojtjen e klimës, të cilat gjatë ditëve të fundit janë vënë në udhë krahas bisedimeve të rregullta nga presidenca britanike e konferencës.

Parimisht në samit u pranua domosdoshmëria për uljen e efektit global serë në atmosferë deri në vitin 2030 me 45 përqind krahasuar me vitin 2010, për ta kufizuar me 1.5 gradë ngrohjen globale në krahasim me periudhën para industrializimit. Konkretizimi i uljes së nevojshme të temperaturës konsiderohet si një përparim i qenësishëm.

Schottland Glasgow | COP26 | Aktivisten verkleidet als Politiker
Fotografi: Ben Stansall/AFP/Getty Images

Qëllimi është i qartë, aktualisht Toka, sipas të dhënave të OKB-së, po shkon drejt ngrohjes me rreth 2.7 gradë.

Ndaj vendeve të industrializuara iu bë thirrje që dyfishojnë ndihmmat për vendet më të varfëra në mënyrë që ato të përshtasin masat për mbrojtjen e klimës. Fjala është për shkatërrime dhe zhvendosje të popullsisë të imponuara prej thatësirave, vërshimeve apo stuhive. Meqënëse kërkesa është për dyfishimin e ndihmave deri në vitin 2025, ky apel nuk është më "një premtim bosh" deklaroi  Oxfam, një shoqatë ndërkombëtare e organizatave të ndryshme të ndihmës për zhvillimin.

wa/bru (dpa, afp, epd)