CDU/CSU për migrimin: arrest para dëbimit, humbje shtetësie
29 Janar 2025Nënkryetarja e partisë Bashkimit Kristjandemokrat CDU, Karin Prien shpjegoi se lëvizja e partive unioniste ishte e lidhur me një rrezik. Edhe për të, si për shumë të tjerë në CDU dhe CSU, vendimet aktuale nuk janë të thjeshta. Por ndryshimi i kushteve kërkon gjithashtu përgjigje të reja. Dhuna në Aschaffenburg shënoi një pikë kthese dhe shumë njerëz mendojnë se shteti nuk mund të garantojë më sigurinë e tyre. Prien përsëriti në radion Deutschlandfunk se nuk dëshironte të bashkëpunonte me AfD-në dhe se propozimet në Bundestag ishin një ofertë për SPD-në dhe të Gjelbrit.
Faeser dhe Baerbock paralajmërojnë CDU/CSU të mos bashkëpunojnë me AfD
Ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser ka paralajmëruar ndërkohë CDU/CSU që të mos vendosë, së bashku me AfD, për të ashpërsuar politikën gjermane të migrimit. Partitë unioniste duhet të heqin dorë sa më shpejt nga "rruga e gabuar nacionale” e cila do të ishte e mundur vetëm me votat e AfD-së, tha politikania socialdemokrate për gazetat e grupit mediatik Funke. Në vend të kësaj, duhet të miratohen ligje nga qendra demokratike që mund të forcojnë sigurinë dhe të pengojnë më tej migrimin e parregullt. Faeser iu referua reformës evropiane të azilit dhe ligjit të ri federal të policisë.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kritikoi gjithashtu propozimet e partive unioniste të vëna për votim. "Evropa mund të punojë vetëm së bashku dhe migrimi i rregullt mund të jetë vetëm europian”, tha ajo për mediat Funke. Fakti që kryetari i CDU-së, Friedrich Merz po provokon fqinjët evropianë në një kohë kur Evropa duhet të bashkohet po i bën shumë dëm Gjermanisë, theksoi politikania e Partisë Të Gjelbrit.
AfD ka shpallur dakordimin - FDP do të paraqesë mocionin e saj
Propozimet e grupit parlamentar të CDU/CSU përfshijnë ndër të tjera kthimin pas të azilkërkuesve në kufijtë gjermanë dhe arrestimin e personave të cilëve u kërkohet të largohen nga vendi dhe nuk mund të dëbohen. Në propozime kërkohet më tej që të jetë e mundur ata që mbajnë dy shtetësi, edhe shtetësinë gjermane, dhe që kryejnë krime të rënda, të humbasin shtetësinë gjermane. Për më tepër, autoriteteve të sigurisë duhet t'u jepen më shumë kompetenca.
AfD ka njoftuar miratimin. FDPdëshiron të mbështesë disa pjesë të propozimeve, por ndërkohë ka njoftuar se do të fusë në debat propozimin e saj, i cili sipas saj shkon dukshëm më larg se propozimet e CDU dhe CSU.
Kreu i grupit parlamentar të FDP-së Christian Dürr i tha Agjencisë Gjermane të Shtypit dpa se ndihma për zhvillim duhet, për shembull, të lidhet me marrëveshjet e riatdhesimit me vendet në fjalë. Votimi i partisë BSW nuk dihet ende. SPD, Të Gjelbrit dhe Partia e Majtë janë kundër këtyre planeve. Ata besojnë se po shkelet ligji gjerman dhe ai evropian.
Në hapje të seancës, kancelari Olaf Scholz do të bëjë një deklaratë qeveritare.
aud (dlf, ag)