1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU/CSU: Nuk ka marrëveshje me qeverinë për migrimin

10 Shtator 2024

CDU/CSU ka ndërprerë bisedimet me qeverinë gjermane për një qasje të përbashkët ndaj politikës së azilit e migrimit. Propozimet e qeverisë për kthimin e azilkërkuesve në kufijtë gjermanë nuk ishin sa duhet ambicioze.

https://p.dw.com/p/4kTdj
Pamje simbolike per rritjen e kerkesave per azil
Fotografi: Patrick Pleul/picture alliance/dpa

CDU/CSU kanë ndërprerë bisedimet me qeverinë federale për një qasje të përbashkët ndaj politikës së azilit dhe migrimit. Pas dy orësh bisedimesh, negociatori i partive unioniste, Thorsten Frei deklaroi se propozimet e qeverisë për kthimin e azilkërkuesve në kufijtë gjermanë nuk shkonin sa duhet larg.

Më parë ministrja Federale e Brendshme Nancy Faeser kishte propozuar një procedurë për kthimin e refugjatëve në kufi, të cilën politikania e SPD-së e konsideroi si në përputhje me ligjin. Kërkesa e CDU për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kombëtare në Gjermani në përputhje me ligjin e BE-së nuk u plotësua. Ky plan është refuzuar në dokument si "i rrezikshëm".

Nancy Faeser
Nancy Faeser Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Plani i Faeser-it parashikon një rol më të madh për policinë federale; me të synohet d të përshpejtohet e ashtuquajtura procedurë e Dublinit. Kjo përcakton se cili vend evropian është përgjegjës për një procedurë azili. Policia federale duhet të kontrollojë nëse ka vende të lira për arrest dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojë ndalim nga gjykata kompetente në mënyrë që të prekurit të mos arrijnë të fshihen. Qeveria gjermane dëshiron të kërkojë dialog në mënyrë që shtetet, tek të cilat duhet të kthehen pas emigrantët, të bashkëpunojnë.

Vorländer: Situata aktuale nuk është e re

Hans Vorländer, kryetar i Këshillit t Ekspertëve për Integrimin dhe Migracionin, i cili këshillon Qeverinë Gjermane i tha portalit tagesschau.de, se një emergjencë kombëtare për të anashkaluar legjislacionin e BE, sigurisht që duhet t'i njoftohej Komisionit Evropian dhe të justifikohej bindshëm. Ajo mund të shpallej në përputhje me nenin 72 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.

Thorsten Frei
Thorsten Frei Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Por Vorländer mendon se "situata aktuale nuk është e re. Sulme të natyrës islamike ka pasur edhe më parë". Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme "do të duhej të justifikohej mbi të gjitha me rritjen e fluksit të azilkërkuesve për të kontrolluar rreptësisht kufijtë. Megjithatë, numri nuk po rritet tani, por në fakt po zvogëlohet".

Eksperti i migrimit, Vorländer tha më tej se "pavarësisht numrit të sulmeve me thikë dhe krimit të Solingenit, sipas mendimit të shumë njerëzve, siguria e brendshme nuk është aq fort në rrezik sa të justifikojë një emergjencë kombëtare".

 

aud (dlf, tg)