1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU/CSU - më realiste pas zgjedhjeve rajonale

15 Mars 2021

Kryetari i CDU-së, Armin Laschet bën thirrje të luftuar për kancelarinë dhe sulmon socialdemokratin Olaf Scholz

https://p.dw.com/p/3qf3r
Deutschland Schloss Elmau 2019 | Markus Söder, MP Bayern & Armin Laschet, MP Nordrhein-Westfalen
Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Kryetari i CDU-së, Armin Laschet e vlerësoi si zhgënjyes rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet rajonale në landet federale në Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi me fjalë të qarta kandidatin socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz. Ndërkohë, socialdemokratët gjithnjë e më shumë po flasin për një koalicion të ardhshëm qeveritar me të Gjelbrit dhe liberalët FDP.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, Laschet tha në mbledhjen e sotme të kryesisë së partisë se nuk ishte përcaktuar nga Zoti që të jetë CDU-ja ajo që të paraqesë kandidatin për kancelar. Ai citohet të ketë thënë: "Ne duhet të luftojmë (për këtë)". Kristjandemokratëve iu desh dje të pranojnë rezultate historikisht të dobëta në landet e  Baden-Württemberg-ut dhe Rheinland-Pfalzit. Sipas informacionit të dpa, kryetari i CDU-së e kritikoi përsëri sjelljen e disa deputetëve në çështjen e maskave. Ai theksoi se sërish vendimtarja për një mandat duhet të jetë sërish e mira e përbashkët.

Në një konferencë shtypi që mbajti më vonë, Laschet u shpreh i zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve. Ai theksoi se qeveria e landit të Baden-Württembergut, për shembull, kishte një bilanc të suksesshëm pune. Kjo falë edhe anëtarëve të kabinetit të CDU. Por kjo nuk u vlerësua në zgjedhjet rajonale.

Kritika ndaj Scholz-it

Laschet sulmoi edhe ministrin e financave dhe kandidatin për kancelar të partisë socialdemokrate, SPD Scholz. Si ministër i financave, ai duhet të kujdeset për dikasterin e tij, të justifikojë punën e mbikqyrjes financiare dhe të mos deklarojë se në javët e ardhshme do të mbërrijnë dhjetë milion doza vaksinash. Kjo nuk i përgjigjet realitetit dhe i bën njerëzit të pasigurtë. Qeveria federale duhet të qeverisë në mënyrë solide edhe për gjashtë muaj të tjerë, prandaj çdo ministër duhet të kujdeset për dikasterin e tij.

Söder bën thirrje për "skuadra për të ardhmen"

Kryetari i CSU-së, Markus Söder bëri thirrje për krerë të rinj unionistë për fushatën zgjedhore parlamentare, përballë performancës së CDU-së. "Rreth kabinetit, të dyja partitë unioniste duhet të formojnë edhe një herë ekipe për të ardhmen," tha Söderi në Mynih. Humbja masive e votave nga CDU është një "thirrje zgjimi" për partitë unioniste, tha Söder. Ai tha se tani janë bërë të mundura edhe aleanca me shumica votash jashtë partive unioniste. Të gjithë ata që mendonin se CDU dhe CSU do të paraqesin patjetër kancelarin e ardhshëm, tani morën përgjigjen.

Söderi tha se nuk dëshironte të bënte ndonjë deklaratë në lidhje me kandidaturën e partive unioniste për kandidatin për kancelar. Ai tha se do të flasë "në kohën e duhur" ai do të flasë me Laschet për këtë.

Idetë për një koalicion të ri qeveritar

SPD tani po sjell gjithnjë e më shumë në lojë një koalicion me të Gjelbrit dhe liberalët e FDP në nivelin federal. Sekretari i Përgjithshëm i SPD, Lars Klingbeil i tha stacionit "Phoenix" se tani nevojitet një aleancë e ardhshme dhe ai beson se kjo është e mundur me liberalët e FDP-së. Nënkryetari i SPD dhe ish-shefi i të rinjve socialdemokratë, Juso, Kevin Kühnert bëri një deklaratë të ngjashme.

Sondazhet e fundit i paraqesin socialdemokratët me 15 deri në 17 përqind - në vendin e tretë pas të Gjelbërve me 17 përqind deri në 20 përqind. FDP arrin deri në shtatë përqind.

Për të Gjelbrit është ende herët

Për bashkëkryetarin e Gjelbërve, Robert Habeck, një koalicion federal tripartiak është një nga shumë opsionet e mundshme. "Gjithçka është e mundur këtë vit", tha Habecku në Berlin. Por është "absurde shumë herët" për të diskutuar nëse një qeveri e përbërë nga të Gjelbrit, SPD dhe liberalët e FDP-së është opsioni më i mirë për qeverinë federale.

Lindner mendon se të Gjelbrit "po anojnë majtas"

Kryetari i FDP-së, Christian Lindner deri tani ka reaguar me kujdes ndaj një qeverie tripartiake. Ai lëvdoi megjithatë zgjedhjet në landin e Baden-Württemberg-ut - për të Gjelbrit atje: "Të Gjelbrit e z. Kretschmann i dallojnë disa gjëra nga të Gjelbrit me prirje të majtë në federatë."

Kjo ndoshta tregon një farë skepticizmi në lidhje qeveritë tripartiake në nivel federate. Lindner tha sot në Berlin edhe se kur bëhet fjalë për formimin e një qeverie, ajo që vlen më shumë është përmbajtja.

aud (dpa, dlf)