1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit - Hapat e radhës

Bernd Riegert24 Qershor 2016

Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Evropian, por ndarja do të jetë e gjatë. Disa thonë madje se ndarja do të jetë tepër e rëndë.

https://p.dw.com/p/1JCYF
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Delvin

Kur të kalojë habia dhe dëshpërimi për vendimin e britanikëve për Brexit-in, do të fillojë edhe puna praktike. Eurodeputeti britanik Syed Kamall, vetë një konservator britanik dhe kundërshtar i Brexit-it, u shpreh të premten në mëngjes me këto fjalë: "Ne duhet të jemi tani fqinjë të mirë, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe."

Këta janë hapat e radhës:

- Britania e Madhe duhet që në bazë të vullnetit të popullit të paraqesë në BE një kërkesë formale, ku duhet të informojë 27 vendet tjera anëtare të BE-së. Kur do të ndodhë kjo nuk dihet. Referendumi në Britaninë e Madhe nuk është detyrues. Së pari, Parlamenti Britanik duhet të ngarkojë Kryeministrin që të dërgojë në Bruksel një letër lidhur me qëllimet e Britanisë së Madhe. Po cili kryeministër? David Cameron ka paralajmëruar dorëhejqjen. Ndaj të domosdoshme janë zgjedhje të reja. Ndërkohë që 70% e deputetëve në Dhomën e Ultë janë kundër Brexit-it.

Großbritannien Brexit
Fotografi: Reuters/N. Hall

- Këshilli i Evropës - pra 27 vendet e tjera anëtare të BE - ngarkojnë Komisionin Evropian që të negociojë një marrëveshje me Londrën për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Neni 50 i Marrëveshjes së Lisbonës parashikon një afat prej dy vjetësh për dalje nga BE-ja. Kjo mund të ndodhë edhe më shpejt, mendon eurodeputeti gjerman, Manfred Weber (CSU). Por ka dhe ekspertë që mendojnë se ky proces mund të zgjasë më shumë, sepse mijëra marrëveshje duhet të rishikohen dhe të ndryshohen. Marrëveshja për dalje nga BE-ja duhet të miratohet nga vendet anëtare, nga Parlamenti Evropian dhe nga vetë Britania e Madhe. Duhet të miratohen edhe marrëveshje të reja për raportet mes BE-së dhe Britanisë së Madhe.

- Njëkohësisht apo pas fillimit të negociatave mes BE dhe Britanisë së Madhe, duhet të flitet edhe për raportet e ardhshme. E mundur është një marrëveshje për raporte ndërfqinjësore që nënkupton edhe heqjen e doganave. I mundur është edhe anëtarësimi i Britanisë së Madhe në Zonën Evropiane për Tregti të Lirë EFTA, ku janë edhe Norvegjia, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Islanda. Por këto negociata mund të zgjasin me vite, ndërsa marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare. "Dezertori nuk do të pranohet me duar të hapura", tha këto ditë Komisioneri i BE Jean-Claude Juncker.

Jean-Claude Juncker
Jean-Claude JunckerFotografi: picture-alliance/dpa/W. Dabkowski

- Ndërkohë duhet të shpjegohet edhe statusi i nëpunësve britanikë në BE. Ata mund të mbeten në Bruksel mbase deri në përfundim të negociatave për ndarje. Por Britania e Madhe duhet të paguajë shpenzimet e tyre. 73 eurodeputetë britanikë ka aktualisht në Parlamentin Evropian. Ata kanë të drejtën e votës deri në daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

- Shumë ekspertë të ekonomisë presin rënie në bursa dhe dobësimin e ekonomisë britanike. Banka Qendrore Evropiane dhe Bankat Kombëtare kanë rënë dakord për masat mbrojtëse ndaj rënies së vlerës së paundit britanik. "Situata është nën kontroll", thotë për DW një ekspert. "Bursat do të stabilizohen shpejt."

- BE-ja duhet të përballet edhe me rrezikun e infektimit nga Brexiti. Në Francë në vitin 2017 do të zgjidhet një president i ri. Në Holandë në vitin 2018 një Parlament i ri. Të dy këto vende kanë një të djathtë të fuqishme kundër BE-së. Marine le Pen në Francë dhe Geert Wilders në Holandë shpresojnë të përfitojnë prej daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

- Procedura për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të kërkojë shumë kohë dhe mund. "Kjo është nëna e të gjitha krizave", tha pas referendumit një nëpunës në Bruksel.