1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush për anëtarësim të vendeve të MAP-it në NATO

Anila Shuka, Riga29 Nëntor 2006

Në ditën e parë të takimit të nivelit të lartë në Riga, krerët e shteteve anëtare të Natos u fokusuan në çështjen e Afganistanit

https://p.dw.com/p/AqZt
George W. Bush dhe Vaira Vike-Freiberga, Presidente e Letonisë
George W. Bush dhe Vaira Vike-Freiberga, Presidente e LetonisëFotografi: AP

Angazhimi më fleksibël i forcave ushtarake në Afganistan ishte tema e vetme që u trajtua gjatë seancës së parë të takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të Natos të martën në mbrëmje në kryeqytetin e Letonisë. Gjatë të mërkurës krerët e 26 vendeve anëtare do të konsultohen për Kosovën si dhe do të piketojnë temën qendrore të samitit të ardhshëm në vitin 2008.

Një sinjal pozitiv për vendet kandidate lëshoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush: „Aleatët këtu në Rigë do të bëjnë të qartë që porta e Natos do të jetë e hapur për anëtarë të rinj. Në samitin tonë të ardhshëm, në vitin 2008 shpresojmë të bëjmë ftesat për ta“, tha Bush gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin e Letonisë, duke përmendur shprehimisht tre vendet ballkanike, Kroacinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, që tashmë janë pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim: „Shtetet e Bashkura e mbështesin aspiratën e tyre për të hyrë në Aleancën Atlantike,“ – deklaroi presidenti amerikan.

Çështja e zgjerimit është pjesë e axhendës së të mërkurës, ku në një tryezë të rrumbullakët do të mblidhen krerët e shteteve dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Kryeministri i Italisë Romano Prodi u shpreh të martën në mbrëmje në një konferencë para gazetarëve për inkurajimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në strukturat euro-atlantike: „Pres që rruga e tre vendeve ballkanike në Nato, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria të shërbejë edhe si shtysë për vendet e tjera të rajonit, në mënyrë që ky të ketë një perspektivë sa më homogjene për integrimin e tij në të gjithë Evropën.“

Tema tjetër e axhendës së sotme është mbështetja që do t’i bëjë Nato misionit më të madh civil të deritanishëm të Bashkimit Evropian pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. „Shpresoj që angazhimi ynë në Kosovë, që do të mbështesë zgjidhjen politike, duke qënë në një zonë evropiane të jetë shumë më i thjeshtë për t’u realizuar, si dhe që detyrat të merren seriozisht,“ – tha kryeministri italian Romano Prodi. Më problematik se misionin e Kosovës aleatët shohin atë të Afganistanit, ku aktualisht janë stacionuar 32.000 ushtarë nga 15 kombe. Sipas qarqeve diplomatike është rënë dakord që 26.000 ushtarë të stacionuar në zona të ndryshme të vendit, të jenë më fleksibël, në mënyrë që në rast nevoje t’u vijnë në ndihmë veçanërisht trupave amerikanë, britanikë dhe kanadezë të stacionuar në jug. Me rast nevoje nënkuptohen ato raste, kur jeta e ushtarëve është në rrezik, bëhet e ditur nga qarqet diplomatike. Italia, Gjermania, Spanja dhe Franca bëjnë pjesë në vendet që vazhdojnë t’i bëjnë rezistencë kërkesës së qeverisë amerikane për heqjen e kufizimeve për lëvizjen e trupave të tyre në pjesë të ndryshme të Afganistanit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar një kombinim të angazhimit ushtarak me atë të civil. Ngjashëm u shpreh edhe kryeministri italian Romano Prodi, i cili ka hedhur idenë për krijimin e një të ashtuquajturi Grupi Kontakti për Afganistanin. Por takimi i zhvilluar mbrëmë në darkë i shërbeu vetëm këmbimit të mendimeve mes vendeve anëtare. Mbas takimt të së mërkurës 26 vendet anëtare priten të dalin me një deklaratë të përbashkët për këto çështje.