1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsion në Selanik

Jannis Papadimitriou /Aida Cama2 Mars 2013

Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Greqi: Për shkak të shpërdorimit të parave publike një politikan i nivelit të lartë dënohet me burgim të përjetshëm. Ai pretendon se ka qenë vetëm kokë turku.

https://p.dw.com/p/17p0m
Vassilis PapageorgopoulosFotografi: Reuters

Një dënim i madh u dha për Vassilis Papageorgopoulos-in, ish-deputet i partisë konservatore "Nea Dimokratia" dhe ish-kryetar bashkie në qytetin e Selanikut. Një gjykatë penale vendosi se ai është fajtor në të paktën lejimin e përvetësimit të parave shtetërore në shumën 18 milionë euro, gjatë kohës që ka qenë në post nga viti 1999 deri më 2010. Dora e tij e djathtë në bashki, Michalis Lemoussias, si dhe ish-shefi i financave të qytetit të Selanikut, Panayotis Saxonis, marrin po ashtu dënime disavjeçare.

Papageorgopoulos i hedh poshtë me forcë akuzat, dhe flet për një "proces të motivuar politik", prandaj do ta çojë çështjen në apel. Megjithatë ai do të qëndrojë në arrest, deri sa procesi të shkojë në apel duke iu dashur që ta ndajë qelinë me nëntë të burgosur të tjerë. Pasi u shpall vendimi i dënimit, ditën e mërkurë (27.2.) kryetari i bashkisë shprehu indinjatën e tij duke thënë: "Disa njerëz do të vdesin me ndërgjegje të vrarë," paralajmëroi ai në sallën e gjyqit. "Ne, sidoqoftë jo", iu përgjigj gjykatësi që drejtoi procesin.

Griechenland Abstimmung im Parlament über korrupten Exminister
Parlamenti grekFotografi: Reuters

Paratë janë futur në xhep

Gjykimi përmban 400 faqe. E padiskutueshme duket të jetë që gjatë kohës që Papageorgopoulos ka qenë në post, nga arka e shtetit janë zhdukur shumë para. Shtrohet pyetja, kush i ka marrë paratë dhe me urdhër të kujt? Kur skandali plasi pesë vite më parë, politikanët ia hodhën fajin shefit të financave, Saxonis dhe ngritën padi kundër tij. Në vitin 2010, Saxonis u arrestua dhe që nga ajo kohë, këmbëngul se përvetësimi i parave në nivel milionash nuk do të ishte i mundur pa aprovimin e kryetarit. E këtij mendimi është edhe drejtësia, të paktën në këtë instancë.

Se si ka ndodhur e gjitha e shpjegon avokati i ish-shefit të financave, Evthymios Kavkopoulos, i cili tregon në një stacion televiziv të Athinës: "Saxonis ka qenë përgjegjës që kontributet për sigurimin social të të gjithë punonjësve shtetërore të paguheshin në kohë. Në këtë ditë ai ka mundur të nxjerrë një çek për të paguar direkt tek bartësit e sigurimeve. Por nuk e ka bërë dhe në vend të kësaj ka nxjerrë para në dorë nga arka. Ai ka përfituar nga mungesa e kontrollit. Kërkush nuk ka kontrolluar, nëse paratë janë paguar apo jo në arkat e sigurimit," thotë Kavkopoulos.

"Dhe çfarë ka përfituar Saxonis nga kjo?", pyesin gazetarët. "Klienti im ka mbajtur për vete dhjetë përqind, në marrëveshje me sekretarin e përgjithshëm të qytetit, pjesën tjetër e ka dhënë më tej, në qese të zeza," thotë avokati.

Kanë mbyllur fort të dy sytë

Sekretari i Përgjithshëm dhe dora e djathtë e kryetarit të bashkisë ka qenë në atë kohë Michalis Lemoussias. Sipas të dhënave të gazetës së Athinës "Gazeta e redaktorëve", që tregon me hollësi procesin e Selanikut, shefit të administratës i ngrihen edhe akuza të tjera për shkelje ligjore. Sipas argumentimit të vendimit, Lemoussias duhet t`i ketë dhënë disa personave të afërt punë në administratën e qytetit, si për shembull të bijës, dhëndërit, si dhe vajzës së një gruaje, e cila i ka "dhuruar" një copë tokë.

Griechenland Abstimmung im Parlament über korrupten Exminister Papaconstantinou
Parlamenti grek merr vendim për një ish ministër të korruptuarFotografi: Reuters

Vërtet nuk ka pasur Papageorgopoulos aspak dijeni për këto? Ka njerëz që e besojnë këtë. Një is- drejtuese sektori në bashkinë e Selanikut, e cila nuk do ta japë emrin, i ka thënë gazetës lokale Aggelioforos: "Dënimi ishte vërtet i rëndë. Me siguri Papageorgopoulos nuk ka marrë para." Por ai nuk ka kontrolluar kurrë ku kanë shkuar paratë. Ka lënë që gjërat të marrin rrjedhën e tyre. "Por, kur shefi i financave i jep një makine porshe, ka një lokal nate dhe një ekip futbolli, duhet të lindë dyshimi që diçka nuk është në rregull."

Gjatë zgjedhjeve komunale të 2010-ës, Vassilis Papageorgopoulos, që diskutohej edhe në partinë e vet, nuk donte të kandidonte më për kryetar bashkie. Ky ishte një fund pa lavdi për një burrë, që ka qenë një nga politikanët më të dashur të vendit, kryesisht për shkak të sukseseve të tij jashtë politikës. Ai ka studiuar stomatologji, ka qenë në vitet shtatëdhjetë një nga atletët më të mirë të Evropës dhe ka marrë medaljen EM në atletikë. Kjo i pati dhënë atij epitetin "mjeku fluturues".