1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundeswehr-i duhet të jetë sot një ushtri mjaft e specializuar për aksione ndërkombëtare

Pandeli Pani20 Gusht 2007

Diskutimet për shërbimin ushtarak të detyruar apo parimin e vullnetarizimit për ata që thirren nga Bundeswehri nën armë në qendër të shtypit të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/BVxG
Bundeswehr-i në KongoFotografi: picture-alliance / dpa

Gazeta «Handelsblatt» shkruan:

"Në diskutimet për shërbimin ushtarak të detyruar nxitet në mënyrë penetrante frika prej gërryerjes së shërbimit ushtarak. Këtu shumë vetë e harrojnë se qëllimi kryesor i ekzistencës së Bundeswehrit është që të prodhojë siguri dhe jo të ushqejë radhët e shërbimit social. Për vite të tëra ata që kryenin shërbim ushtarak nën armë stigmatizoheshin dhe në këtë mënyrë ngushtohej edhe rezervuari i atyre që kryenin shërbimin civil. Ai që mendon se një ushtri me pagesë mund të shndërrohej në shtet brenda shtetit, mendon tepër keq për demokracinë në Gjermani. Në këtë mes ai duhet t'i përgjigjet pyetjes se përse një ushtar me pagesë qenka më pak i besueshëm sesa ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm."


Gazeta «Neue Osnabrücker Zeitung» shkruan:

"Gjërat e mira bëhen avash-avash. Kështu edhe përpjekjet e socialdemokratëve për t'ia përshtatur shërbimin ushtarak në Gjermani realitetit të sotëm. Tashmë kanë kaluar 17 vjet qëkurse deputeti i atëhershëm socialdemokrat Manfred Opel hodhi idenë, që për shërbimin ushtarak të detyrueshëm të thirren nën armë vetëm ata që duan të shkojnë ushtarë vullnetarisht dhe që duan të shërbejnë për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, po sipas tij, shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk duhej hequr nga ligji, sepse një gjë e tillë do të ishte një idiotësi në politikën e sigurisë. Dhe vërtet tani kohët kanë ndryshuar. Për operacionet jashtë Gjermanisë nevojiten trupa ushtarake më të pakta në numër, por të përgatituara dhe me përvojë shumë më të gjatë se sa në kohën e luftës së ftohtë. Pikërisht ky është shkaku që për momentin në Gjermani mungojnë ushtarë me përvojë të gjatë, sepse vetëm këta dërgohen nëpër aksione jashtë vendit."

«Schwäbische Zeitung» (Leutkirch) shkruan:

"Ky model, i cili praktikohet me sukses në Suedi si dhe në radhët e zjarrëfiksve vullnetarë në Gjermani mund të shërbejë për shuarjen e konfliktit parimor mes ushtrisë me pagesë dhe shërbimit ushtarak të detyruar. Por askush nuk duhet të ketë iluzione: një model i tillë është fillimi i heqjes dorë prej shërbimit ushtarak të detyruar."

«Trierischer Volksfreund» shkruan:

"Eliminimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm në formën e sotme ka kohë që është bërë i nevojshëm. Faktikisht një shërbim i tillë ka kohë që nuk ekziston. Ushtria e sotme gjermane, Bundeswehri, nuk është më ajo ushtria e madhe që ishte konceptuar për kohën e luftës së ftohtë, e cila kishte për detyrë t'u priste rrugën trupave të Traktatit të Warshavës në rast se do të tentonin të hynin në territorin e RFGj-së. Bundeswehr-i i sotëm duhet të jetë një ushtri mjaft e specializuar dhe e gatshme për ndërhyrje në rajone të ndryshme të botës. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet me ushtarë që thirren me detyrim nën armë dhe të cilët as nuk janë të motivuar dhe as nuk kanë kohë të mjaftueshme për t'u specializuar."

Gazeta «Dresdner Neueste Nachrichten» shkruan:

"Shërbimi i detyruar ushtarak mbi baza vullnetare është një paradoks në vetvete. Të thuash gjëra të tilla, është si të thuash që një grua është pak me barrë. Socialdemokratët e hedhin këtë ide vetëm për të ruajtur paqen brenda radhëve të partisë së tyre. Një kompromis i tillë duhet të kënaqë si ata që janë pro heqjes së shërbimit ushtarak të detyruar edhe ata që janë pro këtij detyrimi. Gjithësesi shembujt nga praktika flasin në favor të tezës së socialdemokratëve. Në Gjermani thuajse nuk mund të bëhet fjalë për shërbim ushtarak të detyrueshëm, sepse gjithkush ka të drejtë që të kryejë shërbim civil dhe kriteret për rekrutimin e ushtarëve janë aq të dobëta, sa shërbimit të detyruar mund t'i bësh bisht tepër kollaj. Bundeswehr-i ka sot nevojë gjithnjë e më shumë për ushtarë profesionistë për aksionet jashtë vendit dhe gjithnjë e më pak për ushtarë që kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për mbrojtjen e vendit."