Bundestagu hedh poshte kerkesen e unionisteve per heqjen e pengesave per kthimin e detyrueshem te personave me Duldung
4 Qershor 2005Në hapje të debatit socialdemokratja Korneli Sontag-Volgast kërkoi që Konferenca e ardhshme e ministrave të landeve, në datat 23 dhe 24 qershor, krahas rregullimit të statusit për familjet afgane, të gjejë edhe “jë zgjidhje të kujdesshme e humanitare edhe për pjestarët e pakicave nga Kosova.”
Por kryetarja e Komisionit për Punë të Brendshme në këtë kërkesë të formuluar me shumë kudjes, do të kundërshtohej në radhë të parënga kolegu i partisë, ministri socialdemokrat i Punëve të Brendshme, Oto Shili. Me anë të një letre dërguar disa ditë më parë Komisionit, ai shprehet hapur pro kthimit të pakicave në Kosovë: Shilin e citoi folësi i opozitës, kristiandemokrati Rajnard Grindel.
”Zoti Ministër i Punëve të Brendshme, Oto Shili, na ka shkruar diçka edhe për kthimin e romëve dhe serbëve. Ai thotë, se rregullime paushale të së drejtës së qëndrimit, siç i keni kërkuar ju dhe e ngarkuara për të huajt, bien në kundërthënie me proçesin e kthimit të pakicave nga Kosova, për të cilin është rënë dakord me UNMIK-un, e që mund të ketë pasoja pozitive për kthimin vullnetar të refugjatëve.”
Duke treguar nga karriket e zbrazëta, që zakonisht janë rezervuar për përfaqësuesit e qeverisë, Grindel shtoi jo pa ironi:
“Do të ishte mirë sikur t'i koordinonit qëndrimet tuaja me ato të Ministrisë Federale. Mund të them vetëm, se Ministri i Brendshëm ka të drejtë dhe se ne e mbështesim tërësisht këtë politikë.”
Kërkesa e unionistëve për të hequr pengesat për kthimin e detyrueshëm gjeti kundërshtim jo vetëm tek përfaqësuesit e partive qeveritare, por edhe tek partia e vogël opozitare. Folesi i saj, liberali Maks Shtadler, ishte i vetmi që u shpreh hapur pa specifikime kombësie për rregullimin e statusit të familjeve me Duldung. Polemika e tij drejtohej kundër unionistëve:
”Pengesat për kthim të detyrueshëm nuk janë vetëm ligjore, por edhe praktike. Shumë njerëz kanë kohë që jetojnë në Gjermani, fëmijët e tyre kanë lindur këtu e shkojnë nëpër shkolla, janë integruar e rrënjosur. Secili prej nesh e ka përjetuar në zonën zgjedhore që të pyetet nga përfaqësues të kishave, shkollave, shoqatave për këtë çështje. Askush nuk e kupton, që shumë prej atyre që janë integruar në Gjermani më së miri, krejt papritur duhet të dëbohen. Zonja dhe Zotërinj, për këta duhet të gjendet një zgjidhje e përgjithshme!”
kërkoi deputeti Maks Shtadler. Në grupin në fjalë hyjnë afro 60 mijë kosovarë, prej të cilëve gjysma i përkasin pakicave e gjysma tjetër janë shqiptarë. Ndryshe mendon Rajnard Grindel nga CDU:
”Sa u përket Duldung-ëve zinxhirë. Dua të them qartë, se natyrisht që për ata, që nuk e kanë pasur fajin vetë për qëndrimin e tyre të gjatë në Gjermani, kemi gjetur zgjidhje me anë të rregullores së rasteve të jashtëzakonshme, por është më se e qartë, që kush i ka asgjësuar dokumentet dhe nuk tregon të vërtetën për identitetin e tij, nuk mund të marrë leje qëndrim si “shpërblim” për shkeljen e ligjit!”
Nisur nga zgjedhjet e mundshme që e presin Gjermaninë në shtator të vitit të ardhshëm, Grindel premtoi: “Më së voni mbas 18 shtatorit, në qoftë se e lejon presidenti, do të angazhohemi që këta njerëz të kthehen në vendet e tyre, ashtu siç e kërkon ligji!”– përfundoi fjalën e tij, kështu ndoshta edhe debatin e fundit të këtij Bundestagu për çështjet e të huajve, deputeti kristiandemokrat Rajnard Grindel.
Statusi i qëndrimit të refugjatëve dhe të huajve nuk është në kompetencë të Bundestagut por të Landeve. Rezultatet e debateve të tilla kanë vetëm karakter këshillues.