1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu gjerman debaton për planet e OBT-së

Peter Stytcle10 Shkurt 2006

Jo të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestagun gjerman mbështesin liberalizimin e tregtisë

https://p.dw.com/p/As7u
Pamje nga Bundetsagu gjerman
Pamje nga Bundetsagu gjermanFotografi: AP

Tre këndvështrime bazë u shfaqën në debatin e Bundestagut gjerman: për folësit e koalicionit qeveritar si kristiandemokrati Erik Fritc negociatat e të ashtuquajturit raundi i Dohës janë në rrugë të mbarë. Megjithatë Fritc nënvizoi se:

"Evropianët kanë bërë koncensione paraprake, kanë dhënë premtime të tjera por nuk i kanë përmbushur ato. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evituar lëshimet në konferencë dhe nuk pësuan asnjë disfavor. Me atë çfarë sinjalizuan ndoshta ata bën të mundur që të vazhdohet më tej", sqaroi Fritc.

Tilo Hoppe nga Partia e të gjelbërve, kryetar i komisionit për zhvillim në Bundetsagun gjerman iu bashkangjit në parim vlerësimeve pozitive të koalicionit qeveritar por tërhoqi vërejtjen se Bashkimi Evropian ka sjellur si ofertë për negociata shkurtimin e ndihmave agrare edhe pse për një gjë të tillë ndërkohë obligohet nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Një pikëpamje krejt tjetër u shpreh nga liberalët. Zëdhënsja e tyre Gudrun Kopp kërkoi nga evropianët që në thelb të bëjnë lëshime më të mëdha.

"Ne urgjentisht kemi nevojë për tarifa të ulëta doganore për vendet idustriale si dhe vendet në zhvillim. Ne kemi nevojë për më pak burokraci në doganat tona. Kjo burokraci përbën rreth pesë deri dhjetë përqind të vlerës së përgjithshme të mallërave, kjo është një barrë e rëndë dhe në këtë fushë mbetet të bëhet më tepër", tha Kopp.

Nga Partia Majtiste për dallim u dëgjuan kritika ndaj përpjekjeve për liberalizim nga Organizata Botërore e Tregtisë. Deputeti i saj Hysein-Kenan Ajdin:

"Qe dhjetë vite ekziston Organizata Botërore e Tregtisë dhe uria shtohet vazhdimisht. Kjo përmendet për shkak të rolit që ka luajtur deri tash Organizata Botërore e Tregtisë. Ajo është një sistem përmes të cilit vendet detyrohen të ngrejnë mekanizma për mbrojtjen e ekonomive kombëtare. Ndikimet janë katastrofale. Vet në Evropën e pasur kjo politikë po bren shtetin social dhe krijon probleme të varfërsisë. Në Afrikë kjo politikë po shkatërron jetën e njerëzve", thekson Ajdin.

Liberalët nuk janë të vetmit që përfaqësojnë këtë mendim. Edhe socialdemokrati Ditmar Stafelt theksoi se pikërisht vendeve të varfëra duhet tu mbetet mundësia që të mbrojnë ekonominë vendëse dhe të ngrejnë strukturat e tyre vetanake. Andaj liberalizimi nuk guxon të teprohet me liberalizim.