1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu Gjerman bën bilancin e suksesit të Bashkimit Europian

22 Mars 2007

Po të mos kishte ekzistuar Evropa, do të na duhej ta kishim shpikur urgjentisht

https://p.dw.com/p/AqXB
Fotografi: DW-TV


Mund të qe kthyer në një debat harmonik. Deputetë të të gjitha kampeve politike qenë të të njëjtit mendim me atë që tha Guido Vestervelle, kryetar i fraksionit më të madh opozitar: "Po të mos kishte ekzistuar Evropa, do të na duhej ta kishim shpikur urgjentisht. Edhe nëse Evropa nuk do të kishte arritur më tepër se sa 50 vjet paqe te ne, sërish do t'ia kishte vlejtur."

Por liberalët, si dy fraksionet e tjera opozitare u ndienë tepër të shqetësuar nga ajo që atyre iu duk si diplomaci e fshehtë në përgatitjen e deklaratës së Berlinit nga qeveria gjermane. Më kot i kërkoi shefi i liberalëve, Westervelle, ministrit të jashtëm: "Besoj se do të kishte qenë me vend, pak orë para miratimit të Deklaratës së Berlinit sikur të na kishit informuar edhe ne si Parlament për gjendjen e refleksioneve. Nuk kemi të bëjmë me një Evropë të shefave të qeverive, ajo që duam, por një Evropë e popujve, dhe përfaqësuesit e saj ndodhen këtu."

Por në bazë të marrëveshjeve në fuqi, BE është ende një Evropë e shteteve të BE- dhe ata mund t'i zinte rrufa, sikur deklarata, për të cilën ata duhet të mbajnë qëndrim në fundjavë, të zbërthehet në mënyrë paraprake në Bundestagun gjerman.

Marrëveshja e Kushtetutës Evropiane synonte ta bënte Evropën më demokratike, më parlamentare. Por ajo dështoi në referendumet e Francës dhe Hollandës që atëherë ë shtë bllokuar. Qeveria gjermane kërkon të startojë tani vrull të ri për kushtetutën, këtë e ritheksoi ministri i jashtëm, Frank Valter Steinmeier në Bundestag.

Nëse këto fjalë do të gjenden shprehimisht edhe në deklaratën e Berlinit, për këtë sigurisht që Steinmeieri nuk tha asnjë fjalë. Vetëm një deklaratë të përbashkët për integrimin e mëtejshëm: "Me fjalë të tjera: në shumëllojshmërinë e tingujve të lartë të botës së globalizuar, evropianët do t'i dëgjojnë, vetëm po të flasim me një zë, vetëm nëse interesat tona i mbrojmë në mënyrë të efektshme, po të veprojmë së bashku. Dhe unë besoj se kjo është pikërisht ajo që presin qytetaret dhe qytetarët nga një politikë e përgjegjshme."

Shefi i fraksionit të majtë opozitar, Gregor Gizi e lidhi dështimin e kushtetutës evropiane në provën e parë të saj me faktin se francezët dhe hollandezët e thirrur për votim e ndjenë BE si projekt neoliberal, të cilit i mungon dimensioni social. Renate Künast, kryetare e fraksionit të të Gjelbërve tha se BE nuk duhet të ketë më kuptimin e interesave afatshkurtra të përfitimit për ekonominë. Që Evropa ka nevojë për një kushtetutë, për këtë ekzistonte mendim i përbashkët. Kristjandemokrati Andreas Shokendorf u shpreh: "Sa më i madh dhe i patejdukshëm bëhet BE, aq më shumë pyesin njerëzit: kush është BE."