1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu e zgjati edhe për një vit misionin e trupave gjermanë në Kosovë

Anila Shuka, Berlin1 Qershor 2006

Vetëm fraksioni opozitar i të majtëve votoi kundër. Deputetët miratuan edhe raportin e qeverisë gjermane për zhvillimin e strategjisë së shteteve të Ballkanit në vitin 2005.

https://p.dw.com/p/AqdU
Ushtare gjermane ne Kosove
Ushtare gjermane ne KosoveFotografi: AP

Prezantimin e raportit të qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit per vitin 2005 e bëri ministri i shtetit për punë të jashtme, Gernot Erler. Ai vuri në dukje se në Ballkan janë bërë përparime të dukshme, falë kjo edhe perspektivës evropiane, që u është premtuar këtyre vendeve tre vjet më parë në Selanik, si edhe në dhjetor të 2005 me itinerarin e paracaktuar për secilin vend nga Këshilli Europian.

E megjithatë sfida kryesore që mbetet në Ballkan është zgjidhja e statusit të Kosovës: "Mossqarimi i statusit të Kosovës sjell rreziqe të mëdha, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në atë të zhvillimit ekonomik," - tha Erler.

Erler theksoi se cilat janë tri kushtet që duhet të plotësojë procesi i gjetjes së statusit. "Të respektojë vullnetin e popullsisë, të garantojë mbrojtjen e pakicave, dhe të rrisë stabilititetin në rajon."

Ai kujtoi se ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, ua ka bërë të qarta këto kërkesa, gjatë takimeve të kohëve të fundit, kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, si edhe atij të Serbisë, Vojillav Koshtunica.

Kritikë ushtroi ministri i shtetit në adresë të serbëve: "Ne mendojmë, se nuk ishte shumë e dobishme që udhëheqja serbe u ka bërë thirrje serbëve të largohen nga institucionet e atjeshme dhe që madje të ushtrojë presion," - tha Erler. Erler u shpreh i pakënaqur me ecurinë e deritanishme të bisedimeve në Vjenë.

Ministri i shtetit më tej përshëndeti mbarëvajtjen e referendumit në Mal të Zi, kërkoi nga Serbia bashkëpunim me Tribunalin e Hagës si dhe shprehu keqardhjen per krizën kushtetuese në Bosnjë Hercegovinë.

Erler tha se tashmë forcat janë përqendruar në bashkëpunimin rajonal, që bëhet në vazhdimësi të projektit të Paktit të Stabilitetit. Synimi është krijimi i një zone të lirë tregtare për Ballkanin. Por ai u kërkoi kolegëve të vet në Bundestag, që të mbështesin perspektivën evropiane për rajonin, si të vetmin çelës për zgjidhjen paqësore të sfidave që ky ka përpara.

Liberalët: Zgjidhja te imponohet

Eksperti i Liberalëve për Ballkanin, Rainer Shtiner, kërkoi që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti, madje në rast nevoje edhe të imponohet. Ai tërhoqi vëmendjen, që kosovarëve të mos u bëhen premtime, që nuk mbahen dot: "Dhe ju parlajmëroj që të mos thoni; që po s'u dhamë kosovarëve pavarësinë, aty do të shpërthejë," - kërkoi Shtiner. Ai shtoi se nuk mund të pranojmë, që aty të shperthejë për shkak të vendimeve të marra nga OKB-ja. për atë kemi dërguar ushtarët tanë. "Këtë duhet ta bëjëmë të qartë", kërkoi deputeti i fraksionit më të madh opozitar në Bundestag Rainer Shtiner.

Eckard von Klaeden folësi i grupit parlmantar të partisë qeveritare, Unionit kristian demokrat dhe kristiancocial, që kishte pasur rastin të njihej vetë nga afër me situatën në rajon, gjatë një vizite të bërë para një jave, apeloi tek palet negociuese ne Vjene, qe bisedat te jene konstruktive. Në një intervistë dhënë Dojçe Veles, Klaeden e hodhi poshtë propozimin e serbëve për të ardhmen e Kosovës: Kosova nuk mund të jetë më nën Serbi, ka deklaruar Klaeden.

Qeveria e re në Shqipëri

Në raportin e qeverisë gjermane për Evropën Juglindore mes të tjerash çmohen dhe përpjekjet që po bën qeveria aktuale në Shqpëri për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. "Shqipëria sheh me optimizëm drejt javës së ardhshme, ku në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshja e asociim-stabilizimit," - konstatoi ministri Erler në fjalën e mbajtur të enjten në Bundestag.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung, tha se situata në Kosovë ende nuk është stabilizuar. Përveç zgjatjes së misionit të Bundesverit, Bundestagu miratoi raportin e qeverisë për Evropën Juglindore dhe hodhi poshtë kërkesën e liberalëve për zgjidhjen e statusit qysh brenda vitit 2006. Ne Kosovë shërbejnë aktualisht 2500 ushtarë gjermanë. Kostot e mbajtjes së tyre arrijnë në 190 milionë Euro