EU-Innenminister Luxemburg
5 Qershor 2009BE-ja do të vendosë kushte për disa dhjetra të burgosur të Guantanamos që duhet të pranohen BE
Ministrat e Brendshëm të shteteve të BE-së e shohin me sy shumë kritik pranimin e ish-të burgosurve nga kampi i SHBA-së në Guantanamo. Sipas Kryetarit të radhës të Këshillit të Ministrave, ministrit të Brendshëm të Çekisë, Martin Pecina, në fakt bëhet fjalë për disa dhjetra persona që duhet të pranohen në të gjithë BE-në. Megjithatë BE-ja do të vendosë kushte edhe për një numër kaq të vogël, vuri në dukje Komisari i BE-së për Poliitkën e Brendëshme, Jacques Barrot.
„Ata, që ne mund t' i pranojmë janë kryesisht persona, ndaj të cilëve nuk ngrihet më asnjë akuzë. Megjithatë ndoshta do të duhej të merreshin disa masa paraprake. Ne jemi të një mendimi, se Shtëpia e Bardhë duhet të flasë me secilin vend në veçanti. “
Çdo vend i BE-së mund të vendosë vetë, nëse dhe sa të burgosur do të pranojë
Kjo do të thotë që nuk do të ketë një qëndrim të përbashkët të BE-së, çdo vend i BE-së mund të vendosë vetë, nëse dhe sa do të pranojë.
Ish-të burgosur nga Guantanamo mund të lëvizin lirisht në disa vende të Shengenit
Por problemi është e ashtuquajtura hapësirë Shengen, ku bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së e madje edhe vendet jo anëtare si Zvicra, Norvegjia dhe Islanda. Brenda kësaj hapësire parimisht nuk ekzistojnë më kontrolle ndaj personave në kufi. Kjo presupozon, që nëse një vend i zonës së Shengenit pranon ish-të burgosur nga Guantanamo, këta mund të lëvizin lirisht në pjesën më të madhe të Evropës. Meqënëse kjo konsiderohet mjaft me rrezik prej shumë qeverive, ministrat e brendshëm vendosën që të informohen në mënyrë të detajuar lidhur me personat që duhen pranuar dhe që këto ifnormacione t' i shkëmbejnë midis njëri-tjetrit.
Austria dhe Çekia parimisht nuk duan të pranojnë askënd. Por edhe ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Wolfgang Schäuble, u tregua mjaft i rezervuar. Ai me sa duket do të pranojë vetëm refugjatë, që kanë një lidhje me Gjermaninë, gjë që vetëkuptohet e kufizon radikalisht rrethin e personave të mundshëm për t' u pranuar.
Malta dhe Italia i kanë bërë thirrje për më shumë solidaritet BE-së për refugjatët e Mesdheut
Ministrat e brendshëm u konsultuan edhe për problemin e valës së refugjatëve që zbarkojnë në brigjet e Detit Mesdhe. Vendet më të rëndësishme të prekura Malta dhe Italia i kanë bërë thirrje për më shumë solidaritet BE-së. Komisari për Politikën e Brendshme Barrot mendon, se edhe vendet jugore që shtrihen përgjatë detit Mesdhe kanë përgjegjësi:
„Është paradoksale, që azilkërkuesve u duhet të pagujanë një kontrabandist për të mbërritur në brigjet veriore të Mesdheut, ku ata ndoshta kanë një shans për t' u pranuar si azilkërkues.“
Ministri i Brendshëm i Suedisë dhe kryetari i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të BE-së, Tobias Billström, tha, se lidhur me këtë temë nuk ka zgjidhje të shpejta:
„Së pari ne duhet të kemi kujdes që të zhvillojmë një bashkëpunim të mirë me vendet e tranzitit dhe ato vende prej nga vijnë refugjatët, me vendet e rajonit dhe me vendet që kanë si destinacion refugjatët, pra anëtarët e BE-së. Nga ana tjetër ne nuk duhet të humbasim nga vëmendja objektivin afatgjatë, që është një sistem i përbashkët evropian për azilimin."
Edhe përsa i përket temës së azilimit Këshilli i Ministrave sërish tregoi, se sa larg zgjidhjeve të përbashkëta janë vendet e BE-së.
Autor: Christoph Hasselbach /Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi