1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brenda apo jashtë eurozonës? Debat i ashpër në Gjermani për Greqinë

AG/Bahri Cani27 Gusht 2012

Në Gjermani është ndezur debati nëse Greqia duhet të mbetet pjesë e Eurozonës. Debati ka shkaktuar përçarje edhe në koaolicionin qeveritar. Kancelarja Merkel ngre gishtin për më shumë maturi.

https://p.dw.com/p/15xEL
Angela MerkelFotografi: Reuters

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka apeluar për më shumë maturi në deklaratat e shprehura kohët e fundit nga partnerë tjetër i koalicionit konservator, CSU, për daljen eventuale të Greqisë nga Eurozona. "Në këtë kohë të gjithë duhet të masin fjalët", theksoi Merkel, në intervistën e saj të verës dhënë për televizionin e parë gjerman ARD.

Ishte Sekretari i përgjithshëm i kristiansocialëve, Alexander Dobrindt ai që ka deklaruar më parë për gazetën "Bild am Sonntag" se largimi i Greqisë nga Eurozona është i pashmangshëm. Deklarata të ngjashme janë dëgjuar edhe nga politikanë të tjerë. Këto deklarata ka kritikuar edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. Ndërkohë që kancelarja Merkel e ka siguruar të premten kryeministrin e Greqisë Antonis Samaras se vendi i tij do të mbetet pjesë e Eurozonës.

Antonis Samaras dhe Angela Merkel në Berlin
Antonis Samaras dhe Angela Merkel në BerlinFotografi: dapd

Vonohet raporti i Troikës

Qëndrimet e ardhshme jo vetëm të partive në Berlin por edhe anëtarëve të tjerë në Eurozonëj për qëndrimin ose jo të Greqisë aty, varen nga raporti i Troikës. Mirëpo mediat gjermane pohojnë se raporti për gjendjen në Greqi do të vonohet. Gazeta "Rheinische Post" shkruan se raporti nuk do të jetë gati para fillimit të tetorit. Deri tani është thënë se ai do të prezantohet në shtator.

Shkaku i vonesës janë përpjekjet e qeverisë greke që në shtator të përfundojnë procesin e privatizimit. Nga raporti i Troikës, ku bëjnë pjesë Fondi Montetar Ndërkombëtar, Komisioni i BE-së dhe Banka Qendrore Evropiane, varet nëse Greqia do të marrë ndihmat e tjera nga paketa e dytë e ndihmave në vlerë prej 31,5 miliardë euro. Pa këto ndihma, Greqia kërcënohet nga falimentimi. Qeveria greke aktualisht po harton një paketë kursimesh në vlerë prej 11,5 miliadë eurosh, që është parakusht për vazhdimin e ndihmave.