1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi Shqipëri - Gjermani: Vendosen piketat për të ardhmen

A. Muka5 Nëntor 2013

Sektorët e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë dhe trajtimit i mbetjeve e ujrave të ndotur do të konsolidohen në të ardhmen me theks bashkëpunimin në sektorin e menaxhimit të mbetjeve.

https://p.dw.com/p/1ACV4
Fotografi: AP/dpa/DW

Konsultimet ndërqeveritare shqiptaro-gjermane që u mbyllën të martën (05.11.2013) pasdite në Tiranë u fokusuan në ecurinë e bashkëpunimit deri më tani dhe vendosjen e piketave për të ardhmen. "Gjermania është angazhuar në terma afatgjatë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik" - thuhet në një komunkatë të ambasadës Gjermane në Tiranë pas përfundimit të bisedimeve që kryesoheshin për palën shqiptare nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, dhe nga Agela Eckert që kryesonte delegacionin zyrtar të Gjermanisë.

Pikë diskutimi mes dy delegacioneve ka qenë dhe ngërçi për realizmin e projektit për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë, ku Tirana zyrtare ka siguruar se do të japë mbështetje të plotë për konkretizmin e këtij investimi strategjik. "Në kuadër të angazhimit tradicional të Gjermanisë në sektorët e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë si dhe trajtimit të mbetjeve dhe ujrave të ndotur mendohet që në të ardhmen të konsolidohet në mënyrë të veçantë bashkëpunimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve", vihet në dukje në komunikatën e ambasadës gjermane në Tiranë.

Asistenca ekonomike dhe teknike e Gjermanisë për Shqipërinë ka nisur para 25 viteve dhe projektet janë fokusuar në sektorë të ndjeshëm për popullatën, si energjetika, furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, arsimi professional, mbrojtja e mjedisit, turizmi malor etj. Shqipëria është vendi më përfitues në botë nga ndihma gjermane në raport me numrin e popullsisë, ku fondet e akorduara direkt nga Gjermania ose në kuadër të BE-se kanë e kaluar kuotën e 1 miliardë dollarëve.