Bilanc i marrëdhënieve gjermano-ruse nën Gerhard Shrëderin
12 Gusht 2005"Miqësi mes burrash" me efekt në medie midis kancelarëve gjermanë dhe të zotërve të shtëpisë në Kremlin kanë rreth 15 vjet që formësojnë marrëdhëniet gjermano-ruse. Kjo vleu në fazën përfundimtare të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik për Helmut Kohl-in dhe Mihail Gorbacovin dhe më fort më vonë mes Kohl-it dhe Boris Jelcinit. Gerhard Shrëderi dhe Vladimir Putini kanë shkuar edhe një hap më larg. "Gerd"-i dhe "Volodja" sic dukej kuptoheshin mirë me njëri-tjetrin edhe nga ana njerëzore, gjë që e tregojne festimet e përbashkëta të Krishtlindjeve dhe të ditëlindjeve.
Ata u përpoqën vec kësaj që t'i afrojnë Gjermaninë dhe Rusinë edhe politikisht me njëra-tjetrën. Në paradën për 60 vjetorin e fundit të luftës, Putini deklaroi:
"Ne e ndërtojmë politikën tonë duke u bazuar në idealet e lirisë dhe demokracisë, në të drejtën e secilit shtet, për të zgjedhur rrugën e tij të zhvillimit. Një shembull ndricues i kësaj politike është pajtimi historik midis Rusisë dhe Gjermanisë. Unë e konsideroj këtë një nga arritjet më me vlerë në Evropën e pasluftës. Ky është një shembull që ia vlen të përhapet në politikën moderne botërore."
Dhe me të vërtetë: me asnjë vend tjetër Rusia nuk ka ushqyer në pesë vitet e fundit një shkëmbim kaq të dendur në rang shtetëror dhe qeveritar si me Gjermaninë: kjo ka dalë në pah në takimet e përsëritura të nivelit të lartë, në konsultimet e rregullta qeveritare osë në dialogun e iniciuar nga Shrëderi dhe Putini të quajtur "dialogu i Petersburg-ut", i cili synon të afrojë me njëra-tjetrën elitat shoqërore të të dyja vendeve, me anë të kontakteve të vazhdueshme dhe diskutimeve.
Edhe nëse politika e jashtme e Putinit ka marrë ndërkohë disa kthesa, partneriteti me Gjermaninë ka gëzuar gjithmonë një vend të përhershëm në diplomacinë e Putinit. Një rol të rëndësishëm ka luajtur në këtë kuadër me siguri edhe preferenca e tij për vendin - mbi bazën e njohurive gjuhësore dhe përjetimeve personale në RDGJ. Por politika e Putinit ndaj Gjermanisë iu përgjigj edhe politikës së Shrëderit ndaj Rusisë. Sepse kancelari gjerman u është shmangur kritikave publike ndaj politikës së brendshme të Putinit. Ja si u shpreh Shrëderi një ditë pas fundit të dramës së përgjakshme të pengjeve të Beslanit:
"Ai, (Putini) e ka bërë gjithnjë të qartë se është për një zgjidhje politike, se është i gatshëm të flasë me secilin, i cili mund të kontribuojë, se kufiri i tij është natyrisht integriteti territorial i vendit të tij, dhe se nga ana tjetër, natyrisht, me terroristë që veprojnë në këtë mënyrë, pra vrasin në mënyrën më brutale fëmijë pa mbrojtje- secili nga ne i ka parë ato pamje dhe ndihet i prekur- se nga ana tjetër me ta nuk është i mundur ndonjë debat për politikën."
Pikërisht kjo formë e butë e "diplomacisë së qetë", e cila e shpreh kritikën vetëm pas dyerve të mbyllura, kontribuoi në raportin e mirë me Moskën. Një pikë kulmore ka qenë këtu deklarata publike e Shrëderit se Putini është "100% demokrat". Me këtë politikë ndaj Rusisë, Shrëderi u bë partneri më i rëndësishëm politik i Putinit në Evropë.
Si shpërblim, qëndrimi i Shrëderit kundër politikës së SHBA ndaj Irakut fitoi peshë vendimtare vetëm me aksin Paris-Berlin-Moske. Vecanërisht pas vitit 2002, partneriteti me Rusinë u bë një element themelor i politikës së jashtme të Shrëderit. Por raporti i mirë gjermano-rus solli favore të tjera: të dyja vendet përfituan nga lulëzimi i shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Dhe një tjetër përfitim për qeverinë gjermane: ministri i financave Eichel qe në gjendje ta përmirësonte buxhetin e tij me taban të shpuar, me anë të pagimit para kohe të borxheve që Rusia i kishte Gjermanisë.
E dobishme për Putinin ishte mbështetja gjermane për ambiciet ruse për anëtarësim në grupin G-8 dhe në OBT. Putini përfitoi edhe nga roli i Gjermanisë si motor i politikës evropiane të Rusisë:
"Midis temave të bisedimeve ishte natyrisht edhe cështja e bashkëveprimit midis Rusisë dhe BE. Gjermania është një forcat shtytëse të integrimit evropian, dhe ne i jemi Gjermanisë shumë mirënjohës që ndjek gjithmonë edhe linjën e bashkëpunimit gjithnjë e më të afërt dhe të thelluar midis BE dhe Rusisë."
Shrëderi mundi të shënonte si sukses të tijin miratimin e Rusisë për protokollin e Kiotos, si edhe ndikimin e tij në krizën e Ukrainës në vitin 2004. Sepse besimi i Putinit tek Shrëderi ia lehtësoi Rusisë pranimin e zhvillimit politik në Ukrainë.
Një problem qendror në marrëdhëniet gjermano-ruse mbeti: për një partneritet të vërtetë mungon një konsensus politik i vlerave, gjë që bëhet e qartë me zhvillimet politike në Rusi. Prej fundit të BS në Rusi nuk janë krijuar as demokraci dhe as shtet juridik. Synimi është modernizimi ekonomik i Rusisë, parimet demokratike injorohen në përditshmërinë politike të Rusisë ose shpërfillen me qëllim, për të zgjeruar pushtetin e Kremlinit. Shrëderi i pranoi këto tendenca autoritare për shkak të llogarive të realpolitikës. Problemin bazë ai nuk qe në gjendje ta zgjidhte, as ai dhe as një pasardhëse eventuale Merkel.