Besnik Mustafaj: Shqipëria pret vulën e BE-së për stabilizim-asociimin gjatë presidencës austriake
10 Mars 2006Vjena ishte stacioni i parë i qëndrimit të ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj në turin e tij treditor në Austri. Ai zhvilloi dje takimin e tij të parë me drejtorin e përgjithshëm të agjensisë atomike, El Baradei në Vjenë, për të ofruar mbështetjen e Shqipërisë për problemet kyçe aktuale. Nuk ka vend të madh e të vogël, për problemet që shqetësojnë botën, në këtë kuadër edhe Shqipëria jep kontributin e saj, shprehet Ministri Mustafaj. Shqipëria ofroi mbështetjen e saj në drejtim të dialogut me Iranin, u shpreh ministri i jashtëm i Shqipërisë për radion Deustche Welle.
Ndërsa pjesëmarrjen e tij në samitin e Ministrave të jashtëm të BE-së në Salzburg, Ministri i jashtëm, Mustafaj e vlerëson si mjaft të rëndësishme për Shqipërinë. Shqipëria pret kalimin në fazën e dytë të marrëveshjes së stabilizim asociimit, të nënshkruar në shkurt në Tiranë. Pritet që brenda presidencës austriake marrëveshja e stabilizim-asociimit të marrë vulën e BE-së, shprehet ministri Mustafaj.
Pra është koha e ofensivës diplomatike per Ministrin e jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit të shqipërisë me BE, kreu i diplomacisë shqiptare është i ftuar më shpesh nga zyrat e diplomacisë evropiane. Synimi është paraqitja e realitetit të ri shqiptar dhe përforcimi i kontakteve me homologët evropianë, me qëllim të sigurimit të mbështetjes për integrimin në Bashkimin Evropian.