Besim i madh te shkenca - për sa kohë ajo nuk të bezdis
22 Janar 2025Sipas një sondazhi global me afro 72.000 vetë në 68 vende, nuk ka krizë të përgjithshme besimi në shkencë. Me gjithë masat drastike të marra për të luftuar pandeminë e Coronas, njerëzit nuk janë larguar nga shkenca, siç pretendohej.
Studimi i TISP është sondazhi më i madh i besimit te shkencëtarët që nga pandemia. Duket se shumë të anketuar duan që shkenca të përfshihet më shumë në shoqëri dhe politikë.
Në përgjithësi, 78% e të anketuarve besojnë se shkencëtarët janë të kualifikuar për të kryer kërkime cilësore. 57% i perceptojnë si të ndershëm dhe 75% besojnë se metodat shkencore janë mënyra më e mirë për të zbuluar të vërtetën.
Pandemia e Coronas - provë për politikën e shkencën
Sipas studimit, besim më të madh te shkencëtarët kanë gratë, të moshuarit, personat me arsim të lartë, me të ardhura më të larta dhe që jetojnë në zona urbane. Qëndrimet politike liberale dhe religjioziteti kanë gjithashtu efekt pozitiv te besimi te shkenca.
Në të kundërt, orientimi i dominimit social ka një efekt negativ. Orientimi i dominimit social (SDO) përshkruan dëshirën që grupet më të forta të kontrollojnë grupet më të dobëta dhe lidhet negativisht me vlera të tilla si barazia dhe drejtësia sociale.
Presion masiv ndaj shkencës nën Trumpin
Sondazhi i përgjithshëm u publikua për të përkuar me marrjen edetyrës nga Trumpi. Presioni mbi kërkimin dhe shkencën në SHBA do të vazhdojë të rritet. Që nga mandati i tij i parë, Trumpi është ndeshur me një pjesë të madhe të shkencës dhe ka vënë në dyshim zbulimet shkencore.
Presidenti Trump mohon krizën klimatike dhe i ka vendosur miqtë e tij kritikë ndaj shkencës në pozicionet kyçe vendimmarrëse: ministri i Shëndetësisë, Kennedy është kundërshtar i vaksinave, ministri i Energjisë, Wright vjen nga industria e naftës dhe fracking, Ministri i Mbrojtjes Hegseth nuk beson në infektimet, ministrja e Arsimit, McMahon dëshiron t'ua lërë arsimin prindërve, sepse shumë mësuesve dhe profesorëve, sipas saj, nuk mund t'u besosh.
Janë veçanërisht fushat shkencore si kërkimet klimatike dhe gjinore ose etnologjia që i frikësohen ndikimit masiv politik, sepse ato konsiderohen si shkenca të majta ose "vigjilente ndaj diskriminimit"("woke)") në qarqet nacionaliste të djathta. Ekziston frika se kërkimet e padëshiruara do të pengohen, se studiuesit do të kufizojnë veten ose do t'i kthejnë shpinën vendit të rëndësishëm të kërkimit shkencor, SHBA.
Nocioni i "besimit" është në radhë të parë i turbullt. Prandaj ekspertët mirëpresin faktin se, për sondazhin global, u shqyrtuan katër aspekte të ndryshme të besueshmërisë së studiuesve duke përdorur dymbëdhjetë pyetje të ndryshme: kompetenca e perceptuar e studiuesve, sinqeriteti i tyre, qëndrimi i tyre i hapur ndaj kritikave dhe interesi i tyre për mirëqenien e shoqërisë.
Studiues të tillë si Hans Peter, profesor në Institutin e Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë në Universitetin e Lirë të Berlinit, e konsiderojnë veçanërisht pozitiv që sondazhi "përgënjeshtron mitin e një krize globale të besimit te shkenca".
Po kështu mendon edhe Mathias Frisch, profesor në Institutin e Filozofisë në Universitetin Leibniz të Hanoverit: "Kohët e fundit, diskursi publik shpesh ka krijuar përshtypjen se besimi te shkenca ka rënë ndjeshëm, veçanërisht pas pandemisë COVID-19. Rezultatet e këtij studimi ndërkombëtar, mbresëlënës në përmasat e tij, e kundërshtojnë këtë tregim të përhapur.
A duhet të përfshihet shkenca më shumë në politikë dhe shoqëri?
Megjithatë, ekspertët janë të befasuar kur zbulojnë se shumica e të anketuarve në mbarë botën janë në favor të përfshirjes së studiuesve në politikë. Kjo është e jashtëzakonshme, shpjegon Mathias Fritsch, veçanërisht pasi shumë studiues "janë mjaft kritikë ndaj idesë që shkencëtarët të mbështesin aktivisht pozicionet politike, sepse kanë frikë (...) se mund të keqpërdoren për të ushtruar ndikim politik".
"Në rastin e pandemisë Corona, pamë në mënyrë tipike të kundërtën, që politika përdor shkencën dhe shkencëtarët që të mos vendosë vetë. Në vend që të merrej publikisht, si qeveri, përgjegjësia për një vendim, kur politika nuk binte dakord, pretendohej se "shkenca" kishte konkluduar se ishte e nevojshme të veprohet në këtë mënyrë dhe jo ndryshe," shpjegon Kohring, studiues i komunikimit në Universitetin e Manheim-it.
Frank Marcinkowski nga Universiteti Heinrich Heine në Düsseldorf e interpreton këtë dëshirë si "pakënaqësi me politikën demokratike. Ata që kërkojnë që të ashtuquajturit ekspertë, shkencëtarë ose teknologji inteligjente të kenë më shumë ndikim, zakonisht e bëjnë këtë sepse nuk u besojnë më politikës e partive për zgjidhjen e problemeve”, shpjegon specialisti i medias.
Megjithatë, vetëm populistët premtojnë zgjidhje të thjeshta, të cilat rrallë ekzistojnë. Sipas Marcinkowskitt, "ne jemi përballur më tepër, në nivel global dhe kombëtar, me situata problematike gjithnjë e më komplekse, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t'u 'zgjidhur' ose të paktën për t'u paqëtuar. Për shumë probleme, "as shkenca dhe as politika nuk kanë 'zgjidhje', por natyrisht nuk e pranojnë këtë. Në përputhje me këtë, edhe më ashpër shpalosen konfliktet politike dhe në mënyrë më të papajtueshme përplasen grupet e interesit."
Besimi merr fund kur preket liria personale
Kur politikanët marrin vendime jopopullore bazuar në rezultate shkencore, të cilat kufizojnë, për shembull, liritë personale ose standardin e jetesës, integrimi i dëshiruar i shkencës në procesin e vendimmarrjes arrin shpejt në kufi.
Kjo nuk është e dukshme vetëm në fushën e ndryshimeve klimatike, thotë Matthias Kohring nga Universiteti i Manheim. "Periudha e Coronës ka treguar se shumë njerëz kundërshtojnë pikërisht këtë angazhim, për shembull mbajtjen e maskave, qëndrimin në shtëpi ose mosvajtjen me pushime”, vëren mediatologu. Në fund të fundit, shkenca ofron vetëm bazën për vendimmarrje, por i takon politikës që të marrë vendimet. "Natyrisht është e arsyeshme që politikanët të marrin vendime bazuar në dijet më të mira në dispozicion - dhe këto janë zakonisht dijet shkencore," përfundon specialisti i komunikimit Marcinkowski.
Burimi: Cologna V et al. (2025): Trust in scientists and their role in society across 68 countries. Nature Human Behaviour. DOI: 10.1038/s41562-024-02090-5.