Berluskoni në burg?
9 Maj 2013Një Gjykatë e Apelit në Milano ka konfirmuar dënimin e mëparshëm me katër vjet burg për mashtrim me taksat për ish kryeministrin italian Silvio Berluskoni. Vendimi u bazua me faktin se Berluskoni kishte mashtruar me taksat në vazhdën e procesit për blerjen e të drejtave televizive për koncernin e tij "Mediaset". Gjykatësit konfirmuan po ashtu edhe vendimin sipas të cilit kryetari i koalicionit të djathtë në opozitë në Itali nuk mund të ushtrojë për pesë vjet asnjë post publik. Të dyja këto vendime nuk kanë hyrë ende në fuqi, sepse është e mundur që njeriu më i pasur në Itali të kërkojë një tjetër proces apeli në Gjykatën e Lartë.
Në vitin 2012, gjykata e shkallës së parë kishte dënuar 76-vjeçarin me katër vjet heqje lirie dhe apeli nuk i gjykoi provat e reja të paraqitura nga mbrojtja si të mjaftueshme për të rrëzuar verdiktin e parë. Pas dënimit me katër vjet heqje lirie, dënimi i Berluskonit ishte reduktuar në një vit burg, por në bazë të ligjit italian, ky reduktim zhvlerësohet nga rigjykimi. Sipas akuzës, ish-kryeministri kishte dëmtuar shtetin, duke fshehur një pjesë të detyrimeve fiskale që duhet të paguanin televizionet që ai ka në pronësi. Nëse miratohet vendimi edhe nga Gjykata e Kasacionit, atëherë Berluskoni duhet të bëjë një hap pas nga politika. Konfirmohet edhe parashikimi për një gjobë prej 10 milionë eurosh. Ndërkohë Berluskoni është duke u përballur edhe me një gjykim të dytë, mbi akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitura.