1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini zyrtar insiston se Eurozona është e pregatitur për skenarin më të keq

27 Qershor 2011

„Europa do të jetë e përgatitur dhe do të marrë masa nëse Greqia nuk do të jetë në gjendje të kthejë borxhet“ - deklaroi ministri gjerman i Financave, Schäuble.

https://p.dw.com/p/11kBk
Reformat duhet të kalojnë megjithë kundërshtimin e opozitës dhe protestuesve.
Reformat duhet të kalojnë megjithë kundërshtimin e opozitës dhe protestuesve.Fotografi: dapd

Shumë pak politikanë europianë e pranojnë mundësinë e dështimit të Greqisë me planin financiar edhe pas marrjes së kredisë. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble i ka bërë me dije opinionit publik gjerman se Europa do të përgatitet për skenarin më të keq.

Në një intervistë me gazetën Bild, Schäuble tha se partnerët europianë presin që Parlamenti grek të kalojë një plan vendimtar kursimesh javën e ardhshme, pavarësisht rezistencës nga publiku dhe opozita.

"Ne po bëjmë gjithçka që të parandalojmë një përshkallëzim të krizës në BE por në të njëjtën kohë duhet të përgatitemi edhe për më të keqen“, - tha Schäuble. Ai paralajmëroi parlamentin grek se duhet të bëjë të pamundurën për të kaluar masat antikrizë, pasi një dështim i mundshëm do të kishte efekt të fortë në stabilitetin e Eurozonës.

Ministri gjerman i Financave Schäuble.
Të pregatitur për më të keqen - Ministri gjerman i Financave Schäuble thotë se eurozona ka marrë masat.Fotografi: dapd

"Ne duhet të sigurohemi shpejt që të mbahet nën kontroll rreziku i efektit zinxhir për sistemin financiar dhe vendet e tjera të eurozonës" - tha ministri Schäuble.

Të gjithë kanë drejtuar sytë tek parlamenti grek

Greqia do të marrë pjesën tjetër të kredisë, rreth 12 miliardë Euro, vetëm nëse do të kalojë reformat në buxhet si dhe do të ligjërojë privatizimet e fundit. Athina zyrtare ka bërë të ditur se paratë e kredisë duhet të jenë efektive në mesin e korrikut, për të shmangur paaftësinë paguese.

BE kërkon që kreditorët privatë të Greqisë, bankat kompanitë private të pensioneve apo sigurimeve, të kontribuojnë në shpëtimin financiar "në bazë informale dhe vullnetare" duke blerë obligacione të reja të qeverisë greke në këmbin të atyre që janë maturuar.

Schäuble insiston se është në interesin e kreditorëve privatë për të ndihmuar Greqinë, pasi kështu stabilizohet edhe tregu. Ai tha se shifrat e sakta për kontributin e sektorit privat, do të vendosen në takimin e ministrave të Financave të BE, në 3 Korrik.

Autor: Joanna Impey/Aurel Boriçi

Redaktoi: E. Xhani