1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini përballet më kufijtë e kapaciteteve për refugjatët

7 Mars 2022

Sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë, aq më shumë njerëz marrin arratinë – edhe për në Gjermani. Në Berlin, strukturat e pritjes nuk mjaftojnë më.

https://p.dw.com/p/48860
Deutschland | Ankunft von Flüchtlingen aus der Ukraine in Berlin
Fotografi: Paul Zinken/dpa/picture alliance

Ata mbërrijnë në Gjermani me autobus, automjete private ose me tren - refugjatë të luftës nga Ukraina që kërkojnë mbrojtje në Gjermani. Për shumicën e tyre, udhëtimi përfundon fillimisht në Berlin, ku trenat mbërrijnë nga Frankfurt an der Oder ose direkt nga Varshava, kryeqyteti polak.

Përballë këtyre mijëra të ardhurve, kryeqyteti gjerman tashmë po arrin kufijtë e kapaciteteve të tij të pranimit. "Brenda një jave jemi përballur me një situatë jashtëzakonisht dinamike: në fillim kemi pritur 45 persona, ndërkohë po vijnë më shumë se 10.000 vetë në ditë dhe është një sfidë e madhe që po përpiqemi ta përballojmë me mjete me të ndryshme", tha kryetarja e bashkisë dhe e qeverisë së landit të Berlinit, Franziska Giffey në "Morgenmagazin" të ZDF.

Nga njëra anë shfrytëzohen qendrat e mbërritjes, strehimet për refugjatët, bujtinat dhe bujtinat e të rinjve, nga ana tjetër ka një angazhim të madh privat. "Për momentin përballimi është i mundur vetëm me forca të bashkuara. Ne po arrijmë në kufijtë tanë gjithnjë e më shumë," tha Giffey. Meqenëse shumica e njerëzve nga Ukraina mbërrijnë në Berlin, tani ekziston një nevojë urgjente për një organizim federal dhe shpërndarje të refugjatëve, tha Giffey, "sepse ne nuk mund ta bëjmë atë vetëm në këto përmasa me strukturat ekzistuese këtu në Berlin".

Refugjatë nga Ukraina vijnë në Berlin
Stacioni Qendror i Berlinit është për shumë njerëz fundi i arratisë së tyreFotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Siç njoftoi Administrata e Senatit për Integrimin, Punën dhe Çështjet Sociale të dielën në mëngjes në Twitter, njerëzit nga Ukraina tani do të dërgohen menjëherë në lande të tjera. Kushti për këtë është që të mos kenë destinacion ku duan të shkojnë në Gjermani. Prandaj, autobusët nisen nga Stacioni Qendror i Berlinit për në 13 Lande të tjera, me përjashtim të Bavarisë dhe Hamburgut.

Refugjatë nga Ukraina vijnë në Berlin
Refugjatë nga Ukraina vijnë në BerlinFotografi: Maja Hitij/Getty Images

Vetëm të premten, në Berlin mbërritën më shumë se 11.000 refugjatë të luftës, sipas administratës së Senatit. Është e qartë se mijëra njerëz do të vazhdojnë të mbërrijnë në ditët në vijim, thotë Giffey. Ministria Federale e Brendshme thekson megjithatë se aktualisht është e vështirë të bëhen parashikime. Sipas të dhënave të ministrisë, policia federale regjistroi 37.786 ukrainas të larguar nga vendi i tyre deri të dielën dhe që kanë ardhur në Gjermani - pothuajse 10.000 më shumë se një ditë më parë.

Por ministria tregoi gjithashtu se numri aktual i refugjatëve të luftës që hyjnë në Gjermani mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi të dhënat e policisë federale pasqyrojnë vetëm një pjesë të refugjatëve, veçanërisht për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) pret që në Gjermani të kërkojnë mbrojtje deri në 225.000 njerëz nga Ukraina. Sipas të dhënave të IOM-it, nga Ukraina janë larguar tashmë 1.45 milionë njerëz.

aud/djo/fab (dpa, epd)