1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini e Brukseli: Serbia të hetojë sulmin në Kosovë

6 Tetor 2023

24 delegacione nga vendet e Procesit të Berlinit u mblodhën këtë të premte (06.10) në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm, që i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet po në Tiranë më 16 tetor.

https://p.dw.com/p/4XDt5
Tiranë: Pamje nga salla e takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit
Tiranë: Takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit Fotografi: Thomas Koehler/photothek/picture alliance

Fokusi i takimit ishte kryesisht krijimi i një atmosfere pajtuese në rajon dhe përmirësimi i performancës ekonomike të Ballkanit Perëndimor, perspektiva europiane, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve.

Sulmi në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb në 24 shtator, u bë objekt i diskutimeve në samit, prej nga u kërkua hetimi dhe zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje, si dhe ulja në tyrezën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Baerbock: Sulm tinëzar nga një bandë terroriste

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin e ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë kosovare Afrim Bunjaku. Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar edhe më tepër situatën: "Kjo ndodh pas një sulmi tinëzar ndaj policisë kosovare nga një bandë terroriste e armatosur gjer në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë përpara hetimin për sulmin e 24 shtatorit dhe ngjarjes së majit ndaj ushtarëve të KFOR” – u shpreh kryediplomatja gjermane. Baerbock shtoi më tej, se NATO ka rritur praninë e KFORIT duke rritur kështu edhe vigjilencën, megjithatë sipas saj, "çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në konferncë shtypi në Tiranë
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin e ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtatorFotografi: Franc Zhurda/AP Photo/picture alliance

Në të njejtën linjë u shpreh edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili nga Tirana kërkoi që Serbia dhe Kosova t'i rikthehen dialogut, ndërsa autorët e sulmit të dalin përpara drejtësisë.

"Të rikthehet dialogu dhe në këtë punë të jepen rezultate duke vënë në zbatim marrëveshjet e mëparshme përfshirë edhe atë në Ohër. Autorët duhet të sillen para drejtësisë, autoritetet serbe të bashkëpunojnë me BE-në për këtë çështje."- tha Varhelyi.

Në rolin e mikpritësit të Ministerialit dhe si bashkëdrejtues i konferencës për shtyp, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ripërsëriti të njejtin qëndrim ndaj sulmit në Kosovë: "Serbia të nisë një hetim serioz, për grupin terrorist kriminal të përfshirë në sulmin e armatosur në veri të Kosovës, si dhe lidhjet e këtij grupi me trafikantët e armëve dhe individëve apo subjekteve të tjera në Serbi.” – u shpreh Hasani.

Daçiç "bojkoton” fotografinë familjare

Përpara nisjes së takimit me dyer të mbyllura, ministrat e jashtëm realizuan fotografinë zyrtare, një traditë në të tilla ngjarje. Megjithatë në të mungoi ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, i cili ndonëse mori pjesë në takim nuk u rreshtua përkrah homogëve të tij. Ky distancim erdhi pasi shefja e diplomacisë gjermane Analena Baerbock kërkoi që fotografia të realizohej përpara flamujve të shteteve pjesëmarrëse në ministerial, mes të cilëve ishte edhe ai i Kosovës.

E pyetur gjatë konferencës për shtyp, ministrja gjermane nuk pranoi që ta komentonte, sikundër edhe ministri Hasani. "Nuk do doja të flisja për qëndrimet e kolegëve, por vetëm për atë që unë bëra. Unë respektoj protokollin e formatit të Procesin e Berlinit, prandaj i ftova të gjithë të pranishmit të më bashkoheshin që foton e familjes ta bënim pranë flamujve tanë respektiv”, u shpreh Hasani.

Shpresë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor

"Takime të tilla ngjajnë pak teknike, por e thënë me pak fjalë janë për të ardhmen e këtij rajoni dhe të ardhmen e gjeneratës së re, që e shikon paqen dhe sigurinë të garantuar brenda BE-së” – u shpreh ministrja e Jashtme e Gjermanise, Annalena Baerbock, për takimin e parë të"Procesit të Berlinit” që zhvillohet për hërë të parë në Ballkanin Perëndimor. "Duhet të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimeve në BE. Ajo që ndodhi në Kiev na e bëri më të qartë që anëtarësimi i rajonit në BE është i domosdoshëm në aspektin gjeopolitik”. – shtoi më tej

Baerbock. Po ashtu Komisioneri për Zgjerimin tha, se Ballkani Perëndimor është përparësi kyçe. "Ne kemi sjellë planin e investimeve ekonomike, kemi mobilizuar një të tretën e PPB-së në të gjithë rajonin. Ky plan do të ketë për synim edhe përshpejtimin e integrimit ekonomik, duke krijuar mundësi për

Ballkanin Perëndimor të integrohet në tregun e BE-së ende pa u bërë anëtar” – u shpreh komisioneri per zgjerimin nga Ministeriali i "Procesit te Berlinit”.

Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike, e inicuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në gusht 2014 për t"i dhënë impulse të reja dhe përshpejtuar ritmet e hyrjes së BP në BE.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka shndërruar në një prioritet gjeostrategjik të BE përshpejtimin e ritmeve të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana