1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi reagon ashpër pas mbylljes së zyrave postale

6 Gusht 2024

Mbyllja e zyrave postare në veri të Kosovës për mungesë certifikatash biznesi dhe numri fiskal nxiti reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar, i cili tha se “qeveria e Kosovës po tenton të nxisë konflikt”.

https://p.dw.com/p/4j8p3
Filial i Postës serbe në veri të Kosovës
Filial i Postës serbe në veri të KosovësFotografi: Press office of the Kosovo Polici

Pas një operacioni kontrolli në veri të vendit, që zgjati gjatë gjithë ditës së hënë (05.08) policia e Kosovës mbylli nëntë filiale të Postës së Serbisë që veprojnë në Kosovë.

Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) këto zyra nuk kishin licencë. Mbyllja e zyrave postare nxiti reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar, i cili tha se "qeveria e Kosovës po tenton të nxisë konflikt”. Sipas policisë operacioni në veri është kryer me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Gjatë operacionit janë "konfiskuar materiale dhe me vendim të autoritetit kompetent janë mbyllur nëntë zyra poste, nën dyshimin për veprim pa liçencë dhe nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet e Kosovës", thuhet në njoftim të policisë.

Në një njoftim për mediat Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se "në të kaluarën janë bërë përpjekje që çështja e operimit të postës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbinë Bruksel, por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në Marrëveshjen për Telekomunikacion”.

Sipas ARKEP "Posta e Serbisë nuk figuron e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit te Bizneseve dhe nuk ka certifikatë biznesi dhe numër fiskal”. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është institucion rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Beogradi reagon

I menjëherëshëm ishte reagimi i autoritetve të Beogradit, të cilat thanë se "me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt të hapur”. "Banditët e tij në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, pushtuan hapësirat e Postës në Leposaviç, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok.

Beogradi thotë se Albin Kurti dëshiron t'i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova
Beogradi thotë se Albin Kurti dëshiron t'i dëbojë të gjithë serbët nga KosovaFotografi: Office of the Kosovo government

Bëhet fjalë për një krizë të re të drejtuar nga Albin Kurti, i cili në këtë mënyrë dëshiron t'i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, duke ua mohuar të gjitha të drejtat elementare të njeriut dhe duke i frikësuar ata. Veprimet e sotme, janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Telekomunikacionit të vitit 2015, ku thuhet se çështjet e shërbimit postar do të zgjidhen ekskluzivisht me dialog”, thuhet në një reagim të zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e serbisë.

Kurse Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha se "heqja e shërbimeve postare, pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”.

"Edhe një herë i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë urgjentisht dhe ta ndalojë Kurtin të përpiqet të dëbojë serbët nga vatrat e tyre, sepse është detyrë e tyre të mbrojnë të gjithë qytetarët, përfshirë serbët dhe të mos lejojnë paqëndrueshmëri rajonale”, thuhet në reagimin e Srpska.

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan qeveria serbe për ta, që përfshin: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet. Po ashtu përmes Postës së Serbisë në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele të Serbisë, për nxjerjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa parash, etj.