1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe sanksionet kundër Sirisë

Christoph Hasselbach /Arapi28 Maj 2013

Ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e tyre të hënën vendosën zgjatjen e sanksioneve ekonomike kundër Sirisë, por jo zgjatjen e embargos së armëve. Rusia e dënoi të Martën heqjen e embargos së armëve.

https://p.dw.com/p/18eTh
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Një punë e vështirë i priste ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të hënën (27.05.) në Bruksel. Kjo u duk edhe në negociatat disa orëshe, që u deshën për marrjen e vendimit. Ministrat e Jashtëm të BE-së duhet të vendosnin, nëse do të lejonin në të ardhmen furnizimin me armë të opozitës në Siri, apo do të mbanin në fuqi embargon ekzistuese. Që para takimit, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle u shpreh: "Po qe se ne si europianë duam të kemi influencë në Siri, duhet të gjejmë një ujdi". Ndërsa homologu i tij luksemburgas, Jean Asselborn, u shpreh me tone dramatike. "Paaftësia në arritjen e një kompromisi do të ishte më e keqe. Po qe se shkojmë deri këtu, atëherë nuk kemi pse takohemi." Orë grindjesh pasuan, por kompromisi u arrit. Rezultati i negociatave: Sanksionet ekonomike zgjaten, por jo embargoja e armëve. Pra, nëse kryengritësit furnizohen me armë, tani kjo është çështje e vetë vendeve anëtare. Franca dhe Britania e Madhe ia dolën me planin e tyre për armatimin e opozitës siriane.

Ministri i Jashtëm britanik, William Hague
Ministri i Jashtëm britanik, William HagueFotografi: Reuters

Vendimi i ministrave të Jashtëm nuk u mirëprit nga Austria. Michael Spindelegger, ministri i Jashtëm austriak, u shpreh indirekt për presion britanik dhe francez.. Por ministri i Jashtëm britanik, William Hague, u shpreh: "Nëse do të ofrojmë armë, këtë do ta bëjmë vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare." Me këtë vendim të ministrave të jashtëm ekziston "fleksibiliteti që të reagohet në rast keqësimi të situatës", theksoi Hague. Regjimi i Asadit duhet të marrë "mesazhin e qartë, se duhet të negociojë serizosht".

Ndërkohë Rusia e dënoi heqjen e embargos së armëve. Kjo "dëmton" direkt shuarjen e konfliktit në këtë vend u shpreh sot (28.05)zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkow për agjencinë e lajmeve, Itar-Tass. Një hap i tillë dëmton po ashtu shanset për paqen, tha Riabkow.

BE mbetet e ndarë

Të premten e ardhshme në mesnatë skadon afati i të gjitha sanksioneve të BE-së kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad. Mosmarrëveshjet kryesore mes vendeve të BE-së kanë të bëjnë në thelb me pyetjen, nëse furnizimet me armë të rebelëve sirianë do të përkeqësojnë ose përmirësojnë situatën në Siri. Secili nga ministrat e Jashtëm të BE-së mbronte argumentet e tij. Britania angazhohej prej kohësh për heqjen e pjesshme të embargos së armëve. Megjithatë Londra ka pohuar se nuk ka marrë ende një vendim në favor të furnizimit me armë, por dëshiron që ky të jetë një prej opcioneve të mundshme në të ardhmen. Edhe Franca ishte pro dhënies fund të embargos së armëve. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, u shpreh në Bruksel se ka "dyshime në rritje", që trupat e Asadit përdorin gazi helmues.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: Leon Neal/AFP/Getty Images

Frika nga një garë armatimi

Rreptësisht kundër furnizimit me armë për rebelët sirianë janë veçanërisht Austria, Finlanda, Suedia dhe Çekia. Ministri i Jashtëm austriak Michael Spindeleger jo vetëm që është parimisht kundër, por gjithashtu sheh një rrezik për afro 380 paqeruajtësit austriak në Lartësitë e Golanit. Dërgesa e armëve nga BE për Sirinë do të nënkuptonte tërheqjen e tyre dhe ndoshta fundin e misionit paqeruajtës të OKB-së në atë pjesë.

BE i trembet armatimit të ekstremistëve, kjo pasi vetë opozita siriane paraqitet shumë e përçarë. Ndryshe nga ministri i Jashtëm britanik, ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger, beson se një vendim pro armatimit madje do të rrezikojë edhe konferencën e Gjenevës. Në vend të një gare armatimi Spindelegger kërkoi "garën e ideve politike se si mund të zgjidhet konflikti".

Një grup i tretë është në të vërtetë kundër furnizimit me armë, por kërkon në të njëjtën kohë arritjen e një kompromisi. Në këtë grup bën pjesë edhe Gjermania. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle theksoi se ai respekton nëse vendet e tjera të BE-së kanë "vlerësime dhe konkludime të tjera". Por gjëja më e rëndësishme është gjetja e një "qëndrimi të përbashkët" në BE, është shprehur shefi i diplomacisë gjermane. Ndërkohë ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë, John Kerry dhe Sergej Lawrow, po përgatisin mbajtjen e një konference ndërkombëtare në Paris për gjetjen e një rrugëdalje politike nga konflikti i përgjakshëm në Siri. Qeveria siriane ka pranuar në fundjavë pjesëmarrjen në këtë konferencë.

E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton
E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine AshtonFotografi: Reuters

Megjithë dallimet brenda BE-së nuk u bë realitet frika, se fundi i embargos së armëve do thoshte fund i të gjitha sanksioneve kundër Sirisë. Sanksionet ekonomike do të mbeten në fuqi edhe pas 1 qershorit. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shpreh se "të gjitha pozicionet janë dinjitoze, sepse secili prej tyre përpiqet të bëjë më të mirën për të ndihmuar popullin sirian."