1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE vendosë për hapjen e përfaqësisë së përhershme në Irak

Bernd Rigert11 Qershor 2005

Komisioni e Bashkimit Evropian do të hapë një përfaqësi të përherëshme në Irak. Këtë paralajmëroi të premten në Bruksel komisarja e BE për punët e jashtme, Benita Ferero Valdner. Ndërsa të enjëten Bagdadin vizitoi një delegacion i lartë i BE, në të cilin ishin Ferero Valdner, i ngarkuari për politikën e jashtme dhe sigurinë, Havier Solana si dhe ministri i jashtëm britanik Xhek Strou.

https://p.dw.com/p/ArE8
Benita Ferrero-Waldner
Benita Ferrero-WaldnerFotografi: dw-tv


Pa pritur, një delegacion i lartë i BE shkoi të enjëten në Bagdad për t'u informuar për së afërmi me gjendjen në terren. Për shkaqe sigurie, vizita nuk u paralajmërua më parë, sic është e zakonshme. Ministrja e jashtme e BE Benita Ferero Valdner thotë: "Mund të them se më ka impresionuar shumë vendosmëria dhe guximi i irakianëve. Çdo ditë është një sfidë e re. Me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe fuqi po e cojnë vendin përpara. Prandaj, ata meritojnë mbështetjen tonë të plotë", thotë ajo.
Sulmet terroriste dhe ato të kryengritësve edhe më tej paraqesin shkak për brengosje të thellë. Megjithatë, BE ka vendosur që brenda një kohe të shkurtër të hapë në Bagdad përfaqësinë e vet, menjëherë pas gjetjes së një objekti të përshtatshëm. Aktualisht, atje është vetëm një nëpunëse e Komisionit të BE, e cila udhëton tërë kohën në realicionin mes Bagdadit dhe kryeqytetit të Jordanisë, Amanit.
"Fillimi do të jetë gradual, për fillim me pak njerëz. Ende nuk e di sa, por ngadalë ne do të shtojmë prezencën tonë atje, varësisht prej kushteve të sigurisë", thotë Ferero Valdner.
BE do të ndihmojë në ngritjen e administratës si dhe furnizimin me ujë dhe energji elektrike, mirëpo do të ofrojë edhe këshillime politike. Do të mbështetet edhe nxjerrja e një kushtetute, pohon ministrja e jashtme.
Delegacioni i BE ka kërkuar prej presidentit të përkohëshëm Xhalal Talabani që në procesin e nxjerrjes së kushtetutës të përfshihen sa më shumë përfaqësues të pakicës sunite. Benita Ferero Valdner është e mendimit se sheriati në kushtetutë nuk duhet të luajë një rol vendimtar.
"Ne kemi biseduar edhe për krijimin e adminstratës dhe shtetit juridik. Për irakianët kjo do të ishte shumë e mirëseardhur. Prej një korrikut ne do të ndihmojmë në stërvitjen e policisë dhe nënpunëse të drejtësisë", thotë ajo.
Vizita e parë e ministres së jashtme në Irak, që nga përfundimi i luftës, ka për synim edhe përgatitjen e një konference ndërkombëtare për cështjet ekonomike dhe politike në Irak, e cila do të mbahet nën patronatin e BE me 22 qershor në Bruksel. Pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të 80 vendeve dhe organizatave të ndryshme, ndër të cilët edhe sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs.
Lufta e Irakut ishte shkaku për përcarjen e Evropës në dy pjesë. Ministri i jashtëm britanik Xhek Strou thotë se këto kohëra kanë kaluar dhe se qëllimi kryesor tani është rindërtimi i Irakut demokratik. BE ka premtuar 500 milionë për rindërtimin e Irakut. Deri tani janë paguar 318 milionë euro.