BE: Operacioni i autoriteteve kosovare nuk ishte i dobishëm
26 Korrik 2011"Operacioni, që u zhvillua mbrëmë nga autoritetet e Kosovës, nuk është i dobishëm. Ai nuk është bërë as në konsultim me BE-në dhe as me bashkësinë ndërkombëtare dhe ne nuk do ta aprovojmë atë", deklaroi në Bruksel Maja Kocijancic, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë për politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Katherine Ashton."Ne mendojmë se situata duhet të qetësohet dhe të kthehet në pozitat para fillimit të këtij përshkallëzimi", shtoi Kocijancic.
Ashtu si disa herë deri tani, në Bruksel theksojnë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është vendi, ku duhet të gjenden zgjidhje për çështjet tregtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim, siç është porositur, "vazhdimin e tregtisë së lirë në të gjitha drejtimet."
EULEX-i i gatshëm të ndihmojë
Në Bruksel nuk ka patur sot komente zyrtare lidhur me pyetjet e gazetarëve, nëse anëtarët e EULEX-it janë tërhequr nga kalimi kufitar, ku ka pasur rritje tensioni. Me përgjigjen se "nuk ka mundësi të komentojë veprimet specifike në terren", zëdhënesja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijancic, thekson se EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për të normalizuar situatën.
EULEX-i nuk ka marrë pjesë në operacione. Misioni Evropian ndodhet në terren, gjë që është normale, ato mbikqyrin punën e autoriteteve kosovare dhe janë të gatshëm për të ndihmuar për të zgjidhur këtë situatë, që mund të kërkojë edhe shtimin e prezencës së tyre."
Spekulime për dritë të gjelbër nga SHBA
Nga selia e Komisionit Evropian nuk deshën të komentojnë as, siç thanë, spekullimet se SHBA-ja i ka dhënë dritën e gjelbër autoriteteve të Kosovës për të vendosur embargo për importet e mallrave nga Serbia, por edhe për lëvizjet e fundit të forcave speciale të policisë në kalimet kufitare në veri të Kosovës.
"Kjo nuk është bërë në marrëveshje me BE-në, apo me komunitetin ndërkombëtar. Besojmë se situata duhet të qetësohet dhe të kthehet në pozicionet e saj fillestare. Zgjidhja duhet gjetur përmes dialogut, Konsultimet vazhdojnë ndërmjet njerëzve në terren për të gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe dhe të shpejtë në situatën, me të cilën përballemi", përfundoi Maja Kocijancic.
Autor: Marina Maksimović / Angjelina Verbica
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora