1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borxhet për krizën sjellin mosmarrëveshje Berlin - Bruksel

11 Korrik 2012

Biliona euro po përdoren për stabilizimin e sektorit financiar spanjoll dhe për t´i dhënë kohë Madridit që të fitojë sërish besimin në treg. Por shumë njerëz në Bruksel bëjnë paralajmërime kundër optimizmit të nxituar.

https://p.dw.com/p/15VOO
Kriza e euros vazhdon
Kriza e euros vazhdonFotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian i dërguan një sinjal të qartë Spanjës. Pas vendimit të Eurogrupit një ditë më parë, ministrat e Financave të 27 vendeve anëtare të BE-së dhanë të martën dritën jeshile për të ndihmuar Spanjën. 

Borxhet e tejkaluara të bankave në vend do të shkojnë në 100 bilionë euro (123 bilionë dollarë), ndërsa Madridit do t´i duhet që deri në vitin 2014 të mbajë defiçitin buxhetor më të vogël se 3% - një vit më shumë nga ç´ishte parashikuar.

Ministri spanjoll i financave Luis de Guindos e përkufizoi marrëveshjen si “vërtet pozitive”, duke shtuar që ai ishte i lumtur për vitin shtesë me qëllim mbajtjen nën kontroll të buxhetit, i cili ishte dhënë “pa kushte të mëtejshme”.

Ai tha se “Spanja do t´i përmbushë detyrimet e saj” në lidhje me marrëveshjen. Dhe si rrallëherë edhe ministri skeptik danez i Financave Jan Kees de Jager shprehu besimin e tij duke thënë: “Ne kemi besim se Spanja do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të dalë nga kriza”.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy vazhdon kursimet
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy vazhdon kursimetFotografi: Reuters

Greqia - ende në rrezik

Ministrat e Financave u dukën më pak të sigurt për atë çka po ndodh për momentin në Greqi. Qeveria e re në Athinë po bën më të mirën e saj për t´u liruar nga kushtet strikte të paketës së kreditimit.

Besohet se Greqia është shumë hapa larg në planin e saj të reformave dhe shkurtimeve. Ministrja austriake e financave Maria Fekter kritikoi ashpër nga Brukseli mungesën e përparimit në vend. Megjithatë, ajo gjithashtu dëshiron që së pari të marrë përgjigjje për pyetjen se “çfarë vonese solli fushata zgjedhore dhe ku do të duhet të bëjë disa ndryshime Greqia”. "Nuk mund të nxitoni me gjykimet këtu, por fillimisht duhet të vlerësoni faktet”, tha ajo. Ajo shtoi se Bashkimi Europian ende e mbështet planin për Greqinë.

Dalja nga rrethi vicioz

Shumë prej ministrave kërkuan një ndihmë më të shpejtë për bankat spanjolle. Por përpara se Mekanizmi i Stabilitetit Evropian (ESM) të rrezikonte fondin, për t´i ndihmuar drejtpërsëdrejti bankat, nuk do të kishte gjasa për të pasur një mbikqyrje të përbashkët bankare europiane. Kjo, në fund të fundit, ishte një nga marrëveshjet e arritura në takimin e Bashkimit Europian në fund të korrikut.
 

Mbrëmjen e së hënës, ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble paralajmëroi që ajo marrëveshje të mos vihej në dyshim. Një gjë është thjesht zbatimi i rregullave, vuri në dukje Schäuble, por gjithashtu “dikush duhet të sigurohet se ne nuk mund të bëjmë premtime të mëdha, në rast se nuk jemi në gjendje t´i mbajmë. Kjo shkon gjithmonë në dëm të tregut”. 

Komisioneri I Bashkimit Europian për Çështjet Ekonomike dhe Marrëdhëniet Financiare, Olli Rehn tha se shpresat e tij lidhen më mundësinë e ardhshme që ESM-ja të hyjë dorëzanë drejtpërsëdrejti në banka – pa tërthortësinë e të ndihmuarit të shteteve, të cilët më pas ndihmojnë bankat e tyre.

Më tepër mosmarrëveshje mes Berlinit dhe Brukselit

Planet për mbikqyrjen e bankave tregojnë se Europa mund të veprojë shumë shpejt. Komisioneri për Shërbimet dhe Tregun e Brendshëm në Bashkimin Europian, Michel Barnier dëshiron të paraqesë konceptin e parë në fillim të shtatorit, edhe pse në samitin e qershorit ai kërkoi më shumë kohë meqë kishte ende shumë pyetje pa përgjigjje. Por ka tashmë një pyetje për të cilën ai ka përgjigje: ekziston nevoja për një mbrojtje më afatgjatë dhe më të garantuar të depozitave.

Është bindja ime që ky hap është i nevojshëm për 27 anëtarët e Bashkimit Europian dhe është i detyrueshëm për 17 vendet e eurozonës”, tha Barnier.

Është një pikëpamje, që e vendos Barnierin në një kurs përplasjeje me shumë politikanë gjermanë, të cilët janë të shqetësuar se popullit të Gjermanisë nuk do t´i pëlqente që kursimet e tyre të përdoreshin si garanci për borxhet e bankave të huaja. Barnieri do të duhet të përballojë kundërshtimin e fuqishëm të Berlinit.

Autor: Christoph Hasselbach/ E.Elezi

Redaktoi: Auron Dodi