BE i rezervuar për përsëritjen e zgjedhjeve në Kosovë
16 Dhjetor 2010Bashkimi Evropian ka reaguar i rezervuar ndaj kërkesës së opozitës në Kosovë për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare. "Ne presim, që të mbyllet procesi elektoral", tha sot (16.12) në Bruksel një zëdhënëse e së Ngarkuarës me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton. "Aktualisht procesi elektoral vazhdon dhe ne presim rezultatin përfundimtar, përpara se të themi më tepër. Ka rregulla dhe procedura, të cilat duhet të ndiqen". Menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, Ashton pati deklaruar se ajo shpreson për formimin sa më të shpejtë të qeverisë në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se BE ka rekomanduar ndonjë afat, tha zëdhënësja.
LDK kundërshton rezultatin, serbët fituesin
LDK, Partia që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare kërkon zgjedhje të reja për shkak të, sipas saj, falsifikimit masiv të zgjedhjeve. "Ne duhet ta përsërisim votimin në të gjithë Kosovën", i tha zëdhënësi i LDK-së, Arben Gashi agjencisë së lajmeve dpa. "Nuk mjafton që zgjedhjet të përsëriten vetëm në komunat ku ka pasur falsifikime të rënda." LDK-ja ka konstatuar sipas tij falsifikime në shtatë komuna. Në to "janë vjedhur vota në numër të madh", tha zëdhënësi. Edhe gati të gjitha partitë e tjera e kanë akuzuar PDK-në për manipulim të zgjedhjeve e kërkojnë përsëritje të pjesshme të zgjedhjeve.
Formimi i qeverisë për Hashim Thaçin pritet të rezultojë i vështirë edhe për shkak të qendrimit të ri të minoritetit serb në Kosovë. Rada Trajkovic, nga Lista e njësuar serbe i tha sot (16.12.) Radiotelevizionit B92 se përjashtohet koalicioni me të, pas kritikave nga Këshilli i Evropës se Thaçi është bos i mafias. "Unë jam e sigurt se nuk ka asnjë serb, që do të bëhet pjesë e kësaj qeverie", tha Trajkovici. Sipas informacioneve, Thaçi kishte ndërmend ta bënte pjesë të qeverisë së tij minoritetin serb, për të cilin janë rezervuar 10 vende në parlamentin 120 vendësh.
Thaçi kontakton avokatë kundër Dick Martyt
Ndërkohë, sipas një personi të besuar të kryeministrit të Kosovës, Thaçi ka njoftuar për hapa juridikë kundër hetuesit të KE, Dick Marty, i cili e vendos Thaçin në raportin e përgatitur në lidhje me tregtinë e organeve. Thaçi ka kontaktuar tashmë avokatë, për të ndërmarrë hapa kundër deputetit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, bëhet e ditur. Marti zhvilloi që prej vitit 2009 hetime në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje. Sipas raportit të Marty-t, pas fundit të luftës së Kosovës, nën mbikqyrjen e një klike drejtuese të UÇK-së, janë vrarë të burgosur serbë, por edhe shqiptarë. Këtyre u qenë marrë pastaj organet, dhe ato janë shitur në tregun e zi.
Autor: dpa/ap/Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama