BE hap rrugën për sanksione kundër Bjellorusisë
15 Nëntor 2021Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian hapën rrugën për sanksione të zgjeruara kundër Bjellorusisë.
Kjo do të thotë që BE për herë të parë mund të vendosë sanksione ndaj individëve dhe organizatave përgjegjëse që mbështesin pushtetin e atjeshëm në nxitjen e refugjatëve. I Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha se sanksionet e reja duhet të godasin linjat ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe palët e tjera përgjegjëse të përfshira në trafikimin e emigrantëve. Lista e sanksioneve do të hartohet në javët në vijim. Ai theksoi se përpjekjet për të ndaluar fluturimet me njerëz nga vende të ndryshme të krizës tashmë po jepnin efekt.
Ministri i Jashtëm gjerman Maas kishte thënë në Bruksel më parë se e priste një ashpërsim të sanksioneve kundër Bjellorusisë.
Politikani socialdemokrat tha në kuadër të një takimi me homologët në Bruksel se masat duhet të synojnë personat e përfshirë në trafikimin e emigrantëve drejt kufirit të jashtëm të BE. Përveç kësaj, do të flitet për sanksione të ashpra ekonomike.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pati kërcënuar më tej se do të hiqen të drejtat e fluturimit dhe uljes së linjave ajrore nëse ato vazhdojnë të sjellin emigrantë në Bjellorusi. I Josep Borrell njoftoi gjithashtu një paketë të re sanksionesh.
Iraku dëshiron të rikthejë njerëzit
Mijëra njerëz nga rajonet e krizës si Siria dhe Jemeni kanë pritur prej ditësh në kufirin Bjellorusi-Poloni. Pas kërcënimeve nga BE, disa linja ajrore njoftuan se po pezullonin fluturimet e tyre drejt Bjellorusisë ose se nuk do të transportonin më atje pasagjerë nga disa vende. Iraku dëshiron të rikthejë qytetarët që duan të fluturojnë në atdhe të enjten.
Qytetarët irakianë mund të kthehen në shtëpi mbi baza "vullnetare" të enjten, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ahmed al-Sahaf në televizionin irakian të hënën në mbrëmje, sipas mediave arabe. Autoritetet irakiane "regjistruan 571 irakianë" në zonën kufitare, të cilët ranë dakord të kthehen vullnetarisht në shtëpi, tha ai.
Në të njëjtën kohë, linja ajrore kombëtare bjelloruse Belavia tha në një deklaratë se nuk do të pranojë më pasagjerë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Jemeni në fluturimet nga Dubai në Minsk. Ndalimi u vendos me kërkesë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
BE akuzon kreun e shtetit, Aleksander Lukashenko, për sjelljen e qëllimshme të refugjatëve në kufirin e jashtëm të BE. Brukseli akuzon Bjellorusinë për trafikimin e refugjatëve drejt BE në shenjë hakmarrjeje për masat ndëshkuese të marra më parë nga BE.
Lukashenko me tone të zbutura
Presidenti Lukashenko tani ka folur në lidhje me krizën e refugjatëve në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë. Sipas agjencisë së lajmeve Belta, vetë Lukashenko ka thënë se po përpiqen në mënyrë aktive të bindin emigrantët të kthehen në shtëpi - por pa sukses.
Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta e citon atë të ketë thënë se po bëhen përpjekje aktive për të bindur emigrantët që të kthehen në atdhe. Por askush nuk dëshiron të kthehet. Përveç kësaj, bëhet e ditur se Lukashenko dëshiron të shmangë një konflikt kufitar me Poloninë.
aud (dlf, br, spie)