1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe SHBA koordinim për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
30 Janar 2020

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel tha në Prishtinë, se BE-ja nuk është në garë me SHBA-në sa i përket përfshirjes në dialogun Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/3X36m
Frankreich EU l Borrell will am Iran-Atomabkommen festhalten
Fotografi: Reuters/V. Kessler

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë në dialogun Kosovë-Serbi, por pa bërë garë me SHBA-në apo të dërguarin e presidentit Tramp në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Josep Borrel, tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve. Këto komente shefi i diplomacisë evropiane Joseph Borrel i bëri gjatë një vizite që po realizon në Prishtinë (30.01), të parën në Ballkan që nga marrja e detyrës. Fillimisht Borrel takoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për të vazhduar me pas me liderët e subjekteve politike parlamentare.

"Amerikanët kanë shumë plane. Kanë plane për Lindjen e Mesme, Korenë dhe sigurisht edhe për këtu. Por, është një çështje të kesh plan, dhe çështje tjetër të angazhohesh për të pasur sukses. BE-ja ka investuar në Kosovë më shumë se 1 miliardë euro. Nuk po bëj garë me amerikanët, do të punojmë së bashku dhe nuk do të ketë ndasi. Ne nuk jemi këtu të vendosim fajin tek njeri-tjetri. Ne jemi të angazhuar maksimalisht, nuk jemi mjaft të zëshëm por jemi mjaft të përfshirë në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi”, tha Josep Borell. Shefi i diplomacisë evropiane tha se BE-ja nuk dëshiron të përfshihet në bisedat për formimin e qeverisë së Kosovës, por tha se është i rëndësishëm formimi i qeverisë dhe rinisja e dialogut me Serbinë.

"Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Për ne është i rëndësishëm stabiliteti dhe siguria dhe nuk mund të lejojmë që ta kemi Ballkanin të ndarë dhe nuk mund të lejojmë që vendet të jenë të ndara nga njëri-tjetri. Kosovarët janë njerëz të lirë të vendosin për fatin e vet dhe është çështje e tyre të formojnë qeverinë e jo për këtë çështje të bisedojnë me ne. Pra është çështje e kosovarëve që të vendosin fatin e vet dhe të vendosin për të ardhmen e tyre dhe natyrisht të rifillojnë dialogun me Serbinë. Unë nuk do të imponoj marrëveshje”, tha Joseph Borrell. Shefi i diplomacisë evropiane, vjen nga Spanja shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe në pyetjen se a mund të ndikojë që pesë shtete të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë, ai tha se mund të flas vetëm në cilësinë e përgjegjësit për politikën e jashtme të BE-së dhe siç tha "nuk është detyra e tij që t'i bind pesë shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovën”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se "është jetike për Kosovën që BE-ja të jetë unike në raport me dialogun me Serbinë dhe të ketë koordinim me SHBA-në, që ka rol të pazëvendësueshëm.

"Sa i përket dialogut, jetike është që BE të jetë unike në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Por, që të ketë sukses real duhet të ketë koordinim SHBA-BE. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të ketë sukses. Roli i SHBA-së është i pa zëvendësueshëm. Ambasadori Richard Grenell ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe marrëveshja finale është jetike për Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit kritikoi Bashkimi Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se BE-ja po tregohet shumë e padrejtë në raport me Kosovën me mosliberalizimin e vizave, ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

E Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, tha se e kupton brengën e kosovarëve për mosliberalizim të vizave, por tha se tash është në dorën e shteteve anëtare që të vendosin në mënyrë individuale.

"Si Komision Evropian e them se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe është koha e duhur që kjo çështje të bëhet. Por, unë nuk mund të premtoj se kur, sepse tash është në dorën e shteteve anëtare”, tha Joseph Borrel.

Shefi i diplomacisë evropiane Joseph Borrel pas Prishtinës viziton edhe Beogradin për të përcjellë mesazhin, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë me synimin e arritjes së një marrëveshjeje që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.