1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe NATO drejtimet kryesore për diplomacinë maqedonase

29 Gusht 2006

Ministri i ri i jashtëm i Maqedonisë Antonio Milloshoski shpjegon pas marrjes së postit prioritetet e qeverisë së re maqedonase në fushën e marrëdhënieve të jashtme

https://p.dw.com/p/ArdC
Kutitë e votimit, 19 korrik 2006
Kutitë e votimit, 19 korrik 2006Fotografi: AP

Ministri i ri i punëve të jashtme i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, pas pranimit të postit ka folur për prioritetet e diplomacisë maqedonase. Ai ka paralajmëruar një aktivitetet të përforcuar diplomatik në Bruksel, meqë sipas tij vetëm në atë mënyre do të mund të realizohen qëllimet strategjike të Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, thotë se Maqedonia do të vazhdojë me reformat në të gjitha segmentet që janë parakusht për plotësimin e standardeve për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ai nuk dëshiron të saktësojë se kur do të jetë data e fillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta midis Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. "Ne nuk do të preokupohemi dhe nuk do të humbim energji se kur do të caktohet data e fillimit të bisedimeve, parësore për Qeverinë e Gruevskit do të jetë realizimi i sukseshëm i reformave që do të jetë rruga më e sigurtë për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike," tha Milloshiski.

Sipas ministrit të punëve të jashtme, Antonio Milloshoski, Maqedonia nuk është e inkuadruar drejtpërsëdrejti në vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, por gjithnjë sipas tij, diplomacia e Maqedonisë do ti kushtojë kujdes të veçantë çështjes të Kosovës. Për ministrin Milloshoski janë tri kushte kryesore që duhet të plotësohen, që zgjidhja e çështjes së Kosovës të jetë e pranueshme për tërë rajonin.

"Kushti i parë është që të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare midis Prishtinës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kushti i dytë ka të bëjë me respektimin e rezolutës 1244 të Këshillit të sigurimit të Kombeve të bashkuara dhe kushti i tretë është që zgjidhja përfundimtare të jetë e pranueshme për shumicëen e qytetarëve në Kosovë, respektivisht të plotësohen dëshirat e shumicës së qytetarëve kosovarë," ka deklaruar Antonio Milloshoski, ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë.

Nëse plotësohen të gjitha këto kushte dhe në këtë pako të çështjes të Kosovës zgjidhet edhe çështja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë, që është në interes të veçantë për Maqedoninë, atëherë sipas Milloshoskit, Maqedonia mund të llogarit se ka arritur sukses.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Milloshoski, është prononcuar edhe për bisedimet midis Maqedonisë dhe Greqisë për dallimet rreth emrit të Maqedonisë:" Nuk mund të presim ndonjë kthesë rrënjësore në këtë drejtim sepse problemi i emrit nuk ka të bëjë me Maqedoninë po me Greqinë. Ne kuptojmë se kjo çështje ëshë e ndjeshme për Greqinë, por ne nuk do të heqim dorë nga strategjia e proklamuar tani më disa vite për etablimin e emrit kushtetues të Republikës të Maqedonisë në komunikim ndërkombëtar," ka deklaruar Antonio Milloshoski, ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë.