1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bayern Mynihu nën pemën e krishtlindjeve

Mark Caldwell22 Dhjetor 2005

Vitin e ardhshëm në Gjermani do të zhvillohet kampionati botëror i futbollit. Ja se si festojnë tifozët në Gjermani!

https://p.dw.com/p/AsK0
Fotografi: dpa Zentralbild

Eshtë koha e dëshirave, e urimeve dhe sezoni i marketingut. Tifozët e futbollit në Gjermani duken të kënaqur që të dyja këto tema mund të ndërthuren kaq lehtë me njëra-tjetrën. Mathias Serba është shefi i firmës për artikuj komercialë të klubit të futbollit, Borusia Dortmund. Ai tregon, se çfarë ofron firma e tij për tifozët verdhë e zinj të Borusia Dortmundit: "Ne kemi artikuj të veçantë që prodhohen vetëm gjatë kohës së krishtlindjeve, të cilat i prodhojmë me firmën "Nike". Ne ofrojmë
ëmbëlsira si për shembull Plakun e Vitit të Ri në formë çokollate dhe kalendarë me ëmbëlsira. Përveç kësaj kemi artikuj të tjerë si shalle dhe doreza që shiten shumë mirë, për shkak të motit të ftohtë."

Pothuajse të gjitha klubet e futbollit në Gjermani, si Hertha- BSC Berlin, Arminia Bielefeld apo FC Bayern Mynih, shesin çokollata për krishtlindjet dhe artikuj sportivë dimri. Edhe ornamentet me ngjyrat e klubit përkatës janë kthyer në artikuj të rëndësishëm për të zbukuruar pemën e vitit të ri. Tifozët e klubit të Sankt Paulit për shembull, mund t´i blejnë ato me ngjyrë të zezë me një kryq përpara.

Ndërkohë tifozët e uritur mund të ngopen me prodhime ushqimore, që klubet e futbollit i shesin të paketuara me ngjyrat e veshjeve të tyre. Qyteti i Ahenit, i cili është i famshëm për ëmbëlsirat e tij, i shet çokollatat këtë vit të paketuara në një kuti druri me emblembën e klubit lokal të futbollit Alemannia Ahen.

Tifozët e klubit të Bayern Mynihut mund të porosisin një kuti me tre litra verë, që pihet e nxehtë gjatë krishtilindjeve në Gjermani. Në mes të kutisë qëndron Plaku i Vitit të Ri i veshur me kostumin karakteristik të kuq të klubit. Këto kuti kushtojnë mes 7 dhe 35 euro, ndërkohë që në faqen e internetit të Bayern Mynihut mund të porositen edhe artikuj të tjerë ushqimorë.

Tifozët e klubit të FC Nürnbergut mund të dërgojnë kartolinat e klubit të tyre dhe pothuajse të gjitha klubet e futbollit në Gjermani, ofrojnë kartolina me ngjyrat karakteristike të veshjeve të tyre. Por cili artikull shitet më mirë nga të gjitha? Mathias Serba flet për tifozët e Borusia Dortmundit: "Sidomos jelekët me ngjyrat e klubit dhe çarçafët shiten me shpejtësi të paparë."