1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sportwetten Wirtschaft

24 Nëntor 2009

Gjermanët harxhojnë nëpër baste më tepër se një miliardë euro në vit. Futbolli ka vite që ua kaluar garave me kuaj, dikur vendi klasik ku viheshin baste. Bastet sportive janë kthyer në degë me përfitim financiar.

https://p.dw.com/p/KeDe
Skandali i ri i basteve sportive në Evropë preokupon ekspertët. Ne foto: formular per hedhje bastesh dhe shuma parash te hedhura ne nje salle
Skandali i ri i basteve sportive në Evropë preokupon ekspertëtFotografi: picture-alliance / Sven Simon

Gjermania ka monopol shtetëror për bastet sportive

Bastet më të mëdha vihen për futbollin dhe numri i atyre që vënë baste përmes internetit po shtohet gjithnjë e më tepër. Gjemanët kanë mundësi të vënë baste në mbi 3000 faqe interneti. Se sa para janë në qarkullim për baste nuk e di njeri me siguri. Eksperti për ekonominë ilegale, prof. Friedrich Schneider, nga Universiteti i Linz-it mendon se gjermanët shpenzojnë vit për vit rreth tre miliardë euro për baste, që i vënë përmes internetit. Nga kjo shumë mendohet se rreth 1,5 miliardë janë baste për ndeshjet e futbollit. Bastet e zakonshme janë pesë deri në dhjetë euro për kombinim, por kufiri për lart është i hapur.

Në fakt në Gjermani bastet përmes internetit nuk lejohen. Dhe Gjermania është i vetmi vend i BE-së, ku ekziston një monopol shtetëror për bastet sportive. Për këtë arsye firmat që ofrojnë baste përmes internetit i kanë selitë e tyre jashtë Gjermanisë. Shumica në Angli, por edhe në disa të ashtuquajtura oaze fiskale si Malta apo Gjibraltari. Në portalet e basteve në internet nuk janë të ralla edhe baste që shkojnë deri në 50 mijë euro për ndeshje.

Hetuesit: tregu aziatik i basteve kontrollohet nga banda kriminale

Ka kohë që tregu i basteve është shndërruar në një biznes global. Ekspertët mendojnë se në botë fitimet prej basteve shkojnë në qindra apo mijra miliarda. Paratë më të shumta nga bastet nxirren në vendet e Lindjes së Largët. Aty ofrohen baste pa limit shume parash. Sipas vlerësimeve për ndeshjet e futbollit në Kinë vihen në bast 50 miliardë euro në vit.

Hetuesit mendojnë se tregu aziatik i basteve është një rrjet i errët i përbërë nga qendra ilegale bastesh, ndërmjetësuesish dhe ofertash, që kontrollohen nga banda kriminale. Në baste live në Bangkok, Hanoi apo Shangai zhduken me miliarda dollarë.

Sipas të dhënave të UEFA-s nëntë nga dhjetë përpjekjet për të manipuluar ndeshjet bëhen nga Azia. Edhe gjatë hetimeve të tanishme gjurmët shkojnë në Malajzi dhe Hongong, ku sekserë dhe ndërmjetëses kanë pastruar paratë e nxjerra prej basteve.

Autor: Claudia Hennen/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi