1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi mundëson edhe integrimin e vendeve të rajonit

20 Tetor 2011

Autoritetet e pushtetit lokal nga Maqedonia dhe Shqipëria intensifikojnë bashkëpunimin ndërkufitar në projekte të përbashkëta. Ai mbështetet financiarisht nga fondet IPA të Bashkimit Evropian

https://p.dw.com/p/12vsA

Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave të funksionimit të komunave në projekte rajonale dhe ndërkufitare është një rrugë e sigurtë për integrimin brendarajonal me synim të integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Projektet e përbashkëta për infrastrukturë, ambientin jetësor dhe menaxhimin me rajonet e brezit kufitar janë të një rendësie të veçantë për hapjen e vetë rajonit e më pas të integrimit të tij në Bashkimin Evropian, thotë profesori universitar, Dimitar Mirçev:“Këto projekte ngadalë por sigurtë po funksionojnë. Kjo do të thotë se rajoni po integrohet jo vetëm në aspiratat drejt integrimit evropian, por paraqet edhe një integrim në vete”, shprehet Mirçev.

Shkëmbim eksperience

Pjesa e vjetër e qytetit të Shkupit
Pjesa e vjetër e qytetit të ShkupitFotografi: DW/Tosev

Në kuadër të bashkëpunimit mes komunave të Maqedonisë dhe Shqipërisë, në Shkup kanë qëndruar përfaqësues të komunave të Elbasanit, Beratit, Dibrës dhe Kukësit. Ata në diskutimet me homologët e tyre komunalë nga Maqedonia kanë shkëmbyer përvoja për funksionimin sa më të suksesëshëm të komunave, që kanë të bejnë me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve: “Arsyeja, pse ne jemi këtu, është që ne të shkëmbejmë një eksperiencë, të shohim se si kanë qenë politikat zhvillimore të këtyre rajoneve dhe në kuadër të kësaj të ndajmë eksperienca edhe për të gjithë projektet ndërkufitare, që ne duhet t'i hartojmë në kuadër të fondeve IPA. Pasi kuptohet se për t'i fituar këto fonde duhet bashkëpunim i dyanshëm”, shprehet Ipsin Elezi, kryetar i këshillit të qarkut të Kukësit.

Kryetari i komunës së Haraqinës, Basri Bajrami, thotë se bashkëpunimi ndërrajonal hap një spektër të ri të zhvillimit dhe mundëson qasje më të suksesshme në projektet komunale, që mbështeten nga fondet e BE: “Eksperienca, që na e dhanë ata neve dhe ne atyre, në të ardhmen do të jetë shumë e frytshme. Biseduam që në të ardhmen edhe ne t'i vizitojme komunat e tyre, pasi kemi për të mësuar edhe ne nga ata, por edhe ata nga ne”, thotë Basri Bajrami.

Edhe dallime përveç të përbashkëtave

Kryetari i komunës së Haraqinës, Basri Bajrami
Kryetari i komunës së Haraqinës, Basri BajramiFotografi: Fatos Musliu

Integrimi ndërrajonal dhe ndërkufitar është një urë lidhëse e bashkëpunimit, thotë Adelina Farici, kryetare e bashkisë së Burrelit: “Patjetër që ka edhe dallime përveç shumë të përbashkëtave, mënyra e organizimit të strukturës rajonale ishte më ndryshe nga ajo e organizimit në qarkun e Dibrës, megjithate përsëri ne gjetëm goxha gjëra të përbashkëta dhe shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë”, shprehet Farici.

Komunat nga Maqedonia dhe Shqipëria kanë inicuar një sërë projektesh, të cilat planifikohen të realizohen nga fondet IPA të Bashkimit Evropian.

Autor Fatos Musliu

Redaktoi. Angjelina Verbica