BE-ja diskuton me Afrikën planet e partneriteit
8 Dhjetor 2007„Mirëupafshim Mugabe. Nuk kemi më nevojë për ty", këndonin disa nga demonstruesit nga Simbabve para pallatit të kongreseve, ku ishin mbledhur 80 krerët e shteteve dhe qeverive nga Evropa dhe Afrika për t'u këshilluar për një partneritet të ri. BE-ja e kishte ftuar presidentin 83 vjeçar Robert Mugabe në samitin e dytë të këtij lloji që nga viti 2000. Në shenjë proteste ndaj pranisë së Mugabes në tryezën e bisedimeve mungonte kryeministri britanik, Gordon Broun (Brown). Ndryshe nga ky, kancelarja gjermane Angela Merkel, jo vetëm që mori pjesë në samit, por nuk i kurseu edhe fjalët kritike për shkeljet e të drejtave të njeriut në Simbabve dhe politikën ekonomike, që ka zhytur në varfëri me miliona njerëz.
„Koha nuk pret, gjendja ekonomike sa vjen e keqësohet. Ndoshta ky (samit) është një ndihmesë e vogël për t'i përshpejtuar ndryshimet", tha kancelarja gjermane. Merkel kujtoi se reformat kanë sukses të qendrueshëm vetëm me qeverisje të mirë. Merkel tha se vende si Ruanda, Afrika e Jugut, Kenia dhe Gana e kanë pranuar monitorimin nga qeveritë e tjera, gjë që ka bërë që ato të ecin përpara.
Presidenti i Ganës, i cili aktualisht është edhe kryetar i Unionit Afrikan megjithatë është i mendimit se ka ardhur koha që Afrika dhe BE-ja të bashkëpunojnë si partner të barabartë: „Evropa ka nevojë për Afrikësn, ashtu si edhe Afrika Evropën, tha Koufur. Prandaj edhe strategjia e përbashkët Afrikë-BE, e cila krijon kornizën për një fazë të re në bashkëpunimin e dy kontinenteve, është e mirëseardhur dhe bashkëkohore. Ajo duhet të kurorëzohet në një transformim historik të marrëdhënieve."
Të djelën 80 delegacionet nga Afrika dhe Evropa do të bisedojnë për planveprimin e realizimit të partneritetit. Një samit tjetër mbas tre vjetësh do të shqyrtojë arritjet. Grupet e të drejtave të njeriut u ankuan që në samit u fol vetëm për gjendjen në Simbabve dhe u lanë mënjanë krizat humanitare në Darfur dhe Somali.