1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat spanjolle nuk preken nga kriza

Mark Koch1 Tetor 2008

Spanja nuk do ta braktisë më këtë vit të tatëpjetën konjukturore, tha ministri i financave të Spanjës, Pedro Solbes. Ekonomia spanjolle është e përfshirë nga kriza pas përfundimit të një bumi shumëvjeçar ndërtimesh.

https://p.dw.com/p/FS8q
Bradford & Bingley
Bradford & BingleyFotografi: AP

Por gadishulli Iberik tregohet relativisht i zhdërvjellët, përballë turbullirave të përbotshme financiare.

Bankat e Spanjës paraqiten mirë

Tërmeti i tregjeve financiare nuk mund t'i tronditë me të vërtetë bankat e Spanjës: krahasuar me vendet e tjera, ato paraqiten mjaft mirë dhe sipas mendimit të shumë ekspertëve nuk tregojnë dobësi - për këtë kujdeset Banko de Espana, banka qendrore spanjolle. Sistemi është kaq solid, sa mund të merret si shembull në të gjithë botën, mendon zëvendëskryeministrja Fernandez de la Vega: "Është e sigurtë që neve na ndihmojnë shumë sot politika e rreptë e Banco de Espana dhe masat plotësuese. Sepse ato përkujdesen për ekzistencën e një sistemi financiar, të cilin qeveritë evropiane ndërkohë e vëzhgojnë me shumë vëmendje."

Banka Santander, Madrid
Banka Santander, MadridFotografi: AP

Sistem efikas kontrolli

Pas krizës së rëndë financiare në vitet 80, banka qendrore spanjolle futi një sistem të rreptë dhe efikas kontrolli: bankat dhe arkat e kursimeve duhet të krijojnë rezerva të mëdha, aktivitetet e tyre kontrollohen rregullisht dhe në raste biznesesh me rrisqe atyre u vihen kushte të forta, respektimi i të cilave verifikohet. Banka Qendrore pyet për shembull, nëse dhe në ç'masë i kanë shfrytëzuar institutet e kreditit injeksionet financiare të Bankës Qendrore Evropiane dhe nëse ka pasur në këto raste probleme sigurimi. Natyrisht, edhe bankat spanjolle nuk deshën që gjatë viteve të bumit të ndërtimeve të lenë t'u ikë për duarsh biznesi i hipotekave dhe u kanë dhënë më dorë mjaft të lirë kredi konsumatorëve. Por për shkak të krizës financiare tani shumë klientë kanë vështirësi që t'i kthejnë kreditë, dhe këtë e ndiejnë edhe bankat: disa arka të vogla kursimi janë çklasifikuar më poshtë nga agjencitë e kualifikimit, prandaj edhe Banka Qendrore bën thirrje për t'u treguar edhe më tej të kujdesshëm. Por vështirësi të vërteta institutet kredituese nuk kanë- përkundrazi: Banka më e madhe e Spanjës, Santander, sapo mori përsipër për 770 milionë Euro rezervat në kursime dhe rrjetin e filialeve të bankës së rrënuar britanike të hipotekave, Bradford & Bingley.

Santander pritet ta rrisë fitimin në 10 miliardë Euro

E matur me kapitalin në bursë, Santander është instituti më i madh kreditor i zonës së Euros. Në vitin 2007 ajo arriti një fitim rekord prej nëntë miliardë eurosh. Këtë vit, megjithë krizën financiare ajo kërkon ta rrisë fitimin në 10 miliardë Euro. Kjo bankë është aktive në 40 vende dhe ka rreth 11200 filiale.