1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250711 Banken Privatkunden

25 Korrik 2011

Gjermanët janë kampionë në kursime. Por ata preferojnë t'i investojnë paratë për një kohë të përcaktuar në vend që të spekulojnë në bursë.Një arsye për bankat e huaja, për të shtuar aktivitetin bankar me gjermanet

https://p.dw.com/p/122ta
Kursimet në Gjermani janë pasion për shumë gjermanë
Kursimet në Gjermani janë pasion për shumë gjermanëFotografi: picture-alliance/dpa

"Bank of Scotland" në korrik ofronte një normë interesi prej 2,5% për llogaritë rrejedhëse. Banka spanjolle "Santander" garanton madje 4% interes për depozita trevjeçare. Dhe banka "Bigbank" nga Estonia, kërkon të tërheqë kursyesit gjermanë me normën e interesit rekord prej 5%. Oferta, të cilat shpesh i lënë në hije institutet gjermane të kredisë, të cilat megjithë rritjen e normës bazë të interesit nga BQE, vazhdojnë t'u ofrojnë klientëve të tyre interesa të ulëta.

Martin Faust nga "School of Finance" në Frankfurt e cilëson tregun gjerman shumë interesant, veçanërisht për institutet e huaja të kredisë. Me 80 milionë banorët e saj Gjermania është vendi më i madh në BE:

"Ne kemi më shumë se 1.000 miliardë euro pasuri likuide, e cila gjendet në llogaritë rrjedhëse, libreza kursimi etj. Kjo sigurisht që e bën shumë tërheqëse për bankat e huaja hyrjen në tregun gjerman. "

Luftë e bankave me strategji të reja

Kriza financiare e ka ndryshuar konkurrencën në peisazhin e bankave. Këtë e tregon një studim i firmës së konsulencës, Roland Berger. Bankat luftojnë me norma të ulëta rritjeje ekonomike dhe rënie të marzhit të fitimit, dhe sigurisht janë të detyruara të gjejnë strategji të reja për të çuar përpara biznesin. Marrëveshja Basel III, për mbikqyrjen bankare, luan në këtë aspekt një rol të rëndësishëm, thotë drejtuesi i shoqatës së bankave të huaja në Gjermani, Oliver Wagner. Basel III parasheh ndër të tjera një mbulim më të mirë me kapital bazë. Rekomandimet e Komisionit për Mbikqyrjen Bankare pranë Bankës së Kleringut Ndërkombëtar (BIZ), duhet ta bëjnë më të qendrueshme botën e financave:

"Biznesi me depozitat po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të gjitha bankat, në kuadër të Basel III. Sipas kërkesave të marrëveshjes është e rëndësishme të sigurohet kapital i vet i mjaftueshëm. Për këtë të gjitha bankat, gjermane dhe të huaja, kanë nevojë për depozita nga klientët. Për këtë arsye mund të themi se parashikimi për të ardhmen është që kursyesit do të kenë oferta gjithnjë e më tërheqëse."

Gjermanët historikisht kanë spekulluar pak me paratë
Gjermanët historikisht kanë spekulluar pak me paratëFotografi: AP

Mbetet pyetja se çfarë bëjnë bankat e huaja me depozitat e kursimtarëve gjermanë, për të cilat paguajnë interesa më të larta? Në fund të fundit bankat duan të realizojnë fitim në biznesin e tyre:

"Këto para përdoren për dhënie kredish. Kjo do të thotë që banka "Targo Bank" dhe "Santander" për shembull janë shumë akvive në sektorin e kredive konsumatore, pra kur klienti ka nevojë për kredi për blerjen e një makine, televizori apo mobiljeve. Banka ING DiBa, është shumë e fortë në fushën e financimit të pasurive të patundshme (imibobilieve). Kjo do të thotë që paratë nga depozitat jepen si kredi për blerje imobiliesh. Banka "Royal Bank of Scottland" me siguri do t'i transferojë një pjesë të parave edhe në Angli. Ajo nuk ka aq shumë biznese në Gjermani, të paktën jo në sektorin e klientëve privatë, por është shumë e përfaqësuar në tregun ndërkombëtar", - thotë Martin Faust nga "School of Finance" në Frankfurt.

Garancia për paratë luan rol

Po si qendron puna me sigurinë? Shumëkush ka në mendje klientët e bankës islandeze "Kaupthing", të cilët për 2% më shumë interesa ua besuan paratë e tyre institutit të vogël të kredisë, pa siguri të mirë depozitash, dhe pas kolapsit të bankës, kërkuan ndihmë nga shteti. Kur një bankë e ka selinë në Gjermani, thotë Faust, atëherë ajo u nënshtrohet rregullave gjermane për sigurinë e depozitave. Brenda BE-së depozituesit janë të siguruar deri në 100.000 euro. Tek bankat e huaja të cilat nuk kanë seli apo kompani bijë në Gjermani, vlejnë rregullat e vendit të origjinës.

Autor: Monika Lohmüller/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi