1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat e gjakut në spitale shpesh janë të zbrazura

Arben Muka4 Shtator 2006

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri mes dilemës për të importuar ose jo gjak për nevoja të spitaleve. Rreziku jetik për afër 300 fëmijë talasemikë që kërkojnë disa herë në muaj transfuzion gjaku për t`i shpëtuar vdekjes. Disa specialistë mendojnë se importi do të demotivojë dhurimin vullnetar

https://p.dw.com/p/Ard3
Rezervat e gjakut po mbarohen
Rezervat e gjakut po mbarohenFotografi: AP

Në qendrat spitalore dhe ato shëndetësore në Shqipëri shpesh rezervat për gjak mbarojnë duke vënë në rrezik jetën e pacienteve në nevojë. Pasi japin gjak të afërmit dhe familjarët në shumë raste një gjë të tillë e bëjnë dhe ekipet mjekësore, për të shpëtuar pacientët që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, që jane aksidentuar, që lindin, që kanë nevojë për transfuzion etj.

Në Shqipëri dhurimi vullnetar është një praktikë jo popullore, pasi deri pak kohë më parë funksiononte vetëm dhënia e gjakut me para. Kryqi i Kuq Shqiptar ka nisur prej muajsh një fushatë sensbilizuese në të gjitha rrethet e vendit, nën moton „Dhuro gjak, të shpëtosh jetë njerëzore“. Sa një akt i tillë të bëhet traditë në Shqipëri, spitalet dhe qendrat shëndetësore do të vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në sigurimin e „lëngut të jetës“. Veçanërisht rreth 300 fëmijë talasemikë, të cilët kërkojnë disa herë në muaj transfunzion të gjakut për të shpëtuar nga vdekja.

Situatën e pasigurtë e konfirmojnë dhe në Qëndrën Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, QKDHGJ. „Ne kemi rezerva vetëm për fazën e parë të urgjencave, thotë një specialiste e qendrës, pra në çdo bankë gjaku mbahen 2-3 njësi për këtë qëllim. Më pas u bëhet thirrje familjarëve për të dhuruar gjak për pacientin në nevojë. Në këtë nivel nuk mund të themi se sasia e gjakut të nevojshëm është e sigurtë“.

Autoritetet shëndetësore janë duke shqyrtuar përballë kësaj gjendje të rënduar variantin e importimit të gjakut nga vënde të tjera. Vetë ministri i Shëndetësise Prof. Maksim Cikuli, një mjek gjenetist i njohur është skeptik për importin e gjakut. Ai e përshkruan këtë si një hap të gabuar. „Do të ndikojë në demotivimin e dhuruesve vullnetarë“, argumenton ministri Cikuli, duke shtuar se „ nëse do të kishte nevojë për nje grup të caktuar gjaku që është i rrallë, ministria nuk do të hezitonte të blinte urgjentisht sasinë e domosdoshme. Deri më sot nuk na është bërë një kërkesë e tillë“.

Paraardhesi i tij në detyrë, Leonard Solis, vazhdon ende të mbrojë tezën e kohës kur ishte ministër i shëndetësisë, që shumë kollaj gjaku importit mund të importohet në ato grupe që kërkohet nga spitalet dhe qendrat shendëtsore. „Ne kemi të sëmurë periodikë, të cilët për gjithë jetën e tyre kanë nevojë për gjak. Për t'i siguruar ata duhet importuar gjak nga vende të tjera. Nuk është ndonjë kosto e lartë që për çdo vit na duhen afer 160 mijë euro, për të siguruar nga vende të tjera ato nëngrupe që janë të domosdoshëm dhe evitojnë rrezikun e jetës për pacientët.

Ndërkohë që një ish ministër tjetër i shëndetësisë, prof. Tritan Shehu, tani kryetar i komisionit parlamentar të shendetësise, mendon se shteti duhet të reformojë dhe riorganizojë mënyrat e marrjes së gjakut nga dhurimet vullnetare të qytetarëve. „Të krijohen struktura efikase në dhurimin e gjakut. Të hiqet dorë nga koncepti pasiv se dhuruesi duhet të shkojë tek Qendra e dhurimit. Duhet të ndodhë e kundërta. E kjo nuk duhet të bëhet vetëm në një ditë të vitit, apo në disa ditë të caktuara, por sistematikisht në të gjithë territorin e vendit“, thotë Prof. Shehu.

Pjesa më e madhe e ekspertëve dhe zyrtarëve bashkohen në të njëjtin konstatim se tashmë është momenti për të ndërhyrë seriozisht në legjislacionin që rregullon procesin e furnizimit me gjak të spitaleve a qendrave shëndetësore. Legjislacioni që është në fuqi është miratuar qysh para 12 vjetëve, dhe për realitetet e reja ai është bërë pengues për zgjidhjen e kësaj çështje jetike për qytetarët.