1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka GLS - Banka e parë social-ekologjike universale në botë

28 Qershor 2011

Ajo është si të thuash mëma e bankës etike korrekte: Para pesëdhjetë vjetësh me 28 korrik 1961 në Bochum u themelua e ashtuquajtura agjensi mirëbesimi joprofitabel, që mbështeste projekte bamirësie.

https://p.dw.com/p/11ktS
Ndërtesa e bankës GLS në Bochum
Ndërtesa e bankës GLS në BochumFotografi: GLS

Kjo ishte pikënisja e bankës së sotme GLS, e cila e sheh veten si "bankën e parë social-ekologjike universale të botës".

Ndërtesa trekatëshe në Bochum në vështrim të parë nuk ka asgjë të përbashkët me një bankë tradicionale. Askund nuk të sheh syri as bankomat dhe as shpallje për investime fitimprurës financiare. Në vend të tyre në fasadën e bankës Gemeinschaftsbank GLS sheh një pllakatë me madhe, në të cilën shkruhet:

„Po ta mbash paranë si perëndi – do të të mundojë si djalli.“

Citat i shkrimtarit Henry Fielding. Apo një tjetër nga Henry Ford.

„Një biznes, që nuk nxjerr gjë tjetër veçse para, nuk është biznes i mirë."

Filozofia e biznesit e institutit më të madh financiar etik-ekologjik të Gjermanisë bazohet në menaxhimin e parasë me përgjegjësi sociale. Një bankë, që del jashtë kornizës. Dhe kjo nuk ka nisur sot thotë zëdhënësi i kryesisë, Thomas Jorberg. „Transaksione spekullative financiare, qofshin derivate, apo garanci për kredi, apo çfarëdo qoftë, ne nuk bëjmë."

Për shkak të kësaj politike financiare GLS nuk është prekur as nga kriza ndërkombëtare financiare. Thomas Jorberg: „Problemi lind atëherë, kur bankierët dhe personat aktivë në tregjet financiare nuk financojnë më procese ekonomike reale, por duan të fitojnë para me spekullim parash. Dhe pikërisht kjo çon në krizë, që tregon se kjo mënyrë për të fituar para me para, nuk është e drejtë nga ana sociale dhe ekologjike, dhe nuk është më as ekonomike."

Rrënjet e kësaj banke janë hedhur 50 vjet më parë me një "agjensi mirëbesimi joprofitabel", që u themelua në qershor 1961. Qëllimi i saj ishte që me paratë nga donacionet dhe fondacionet të ndihmonte institucionet me orientim ekologjik dhe social. Këtu nuk ka ndryshuar asgjë as me ndërrimin e emrit në vitin 2005 në GLS Agjenci Mirëbesimi. Vetëm vitin e kaluar fondi ka marrë 5,5 milionë euro donacione dhe 3,8 milionë euro kontribute kapitali. Bilanci arrin tashmë në më shumë se 73 milionë euro.

Edhe pse Banka GLS dikur është përqeshur nga bankat e mëdha, ajo ka këtë vit një volum rekord prej më shumë se dy miliardë euro dhe mban degë në Berlin, Hamburg, Frankfurt, Freiburg, Mynih dhe Stutgart me më shumë se 100.000 klientë në mbarë Gjermaninë. Klientë, që pikërisht pas krizës financiare kërkojnë oferta speciale, thotë këshilltarja për investime Christine Bartsch. „Kjo do të thotë, ato nuk duan që paratë të shkojnë për armë dhe as në teknikën gjenetike për shembull. Kjo është gjithashtu një temë shumë e rëndësishme. Pika tjetër është se njerëzit kanë përvoja të këqia me makutërinë, të themi. Dhe atëherë thonë, preferoj më mirë të marr një interes më të vogël, se sa premtime për fitime të larta, që nuk realizohen më vonë dot."

GLS u ofron klientëve norma interesi të zakonshme në këtë sektor, por edhe mundësinë që të heqin dorë prej tyre. „Kjo do të thotë se në qoftë se investitori heq dorë nga interesi, interesi nuk duhet të lindë aspak. Dhe kjo është një qasje interesante për ekonominë në tërësi dhe ky nuk është subvencion për ne si bankë, por ne e kalojmë atë direkt në objektet e shërbimeve publike bamirëse."

Në kuadër të përdorimit të parasë me përgjegjësi sociale klientë si Johanna Sandau ia besojnë me qëllim paratë GLS. „Nuk duhet patjetër të bëj më shumë para me paratë e mia. Ato, që kam, mjaftojnë dhe të shpenzohen në mënyrë efektive.“

Para të shpenzuara si duhet do të thotë që përgjegjësia për paranë në veprim të mos mbetet anonime.

“Unë mund të vendos vetë me vetëdije, se për çfarë përdoren paratë e mia. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua."

Sepse GLS nuk jep kredi të leverdisshme për blerjen e një makine të shtrenjtë. Zëdhënësi i GLS Lützel thotë: „Projekte tipike të bankës GLS janë shkollat. Ata mund të jenë shkolla të lira, shkolla Waldorf, kopshte Montessori, shkolla Montessori, mund të jenë institucione heilpädagogische në të gjithë Gjermaninë. Mund të jetë bujqësia ekologjike. Ne jemi të fortë në fushën e energjive të rigjenerueshme. GLS ka krijuar fondet e para të energjisë së erës në fund të viteve 80-të. Ne jemi aktivë në fushën e banimit, si në projekte banimi, ashtu edhe në banesat e vjetra dhe ne jemi të fortë në financim. Ka vetëm projekte efektive sociale dhe ekologjike."

Dhe janë projekte, që kanë një vlerë reale dhe që janë fitimprurëse, larg turbo-kapitalizmit spekulativ. Sepse as banka GLS nuk dhuron falas. Përndryshe nuk do të shpjegohej rritja vjetore prej më shumë se 20 përqind.

Autor: Klaus Deuse / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti